Regbi është një sport shumë pak i praktikuar në vendin tonë, por gjatë viteve të fundit disa të rinj kanë vendosur ta fusin në listën e sporteve të Shqipërisë, megjithëse në nivel amator.
SR Tirana është një nga klubet më aktivë ne vend dhe së fundmi ata kanë bërë një lëvizje shumë cilësore për të zhvilluar akoma më shumë sportin e regbi këtu.
Mësohet se SR Tirana ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Hull Dockers, klub i njohur në Britaninë e Madhe, që luan në Divizionin e Parë dhe është themeluar në vitin 1880.
Craig Cook, trajneri i Hull Dockers foli në lidhje me këtë marrëveshje dhe e reklamoi si një mundësi të mirë zhvillimi për të dy palët.
“KR Tirana po zhvillohet me shpejtësi si një ekip amator i Lidhjes së Regbi në Shqipëri. Hull Dockers po bashkëpunojnë me KR Tirana për të mbështetur zhvillimin dhe përparimin e Rugby League në këtë vend.
Parashikohet që ky bashkëpunim mes nesh të ndikojë pozitivisht në të dy klubet, ndërsa në fund të fundit do të promovojë progres dhe sukses në perspektivën e Rugby League.
Unë po pres me padurim mundësinë që disa lojtarë shqiptarë të vijnë dhe të stërviten me ne për të parë disa ndeshje dhe që Tirana të jetë një shans për disa lojtarë të Hull Dockers që shkojnë drejt Shqipërisë për të provuar regbinë dhe stilin e jetës në një vend tjetër”, u shpreh Cook. /abcnews.al