“Refuzojnë ushqimin, Aliko u rikthye”! Zbulohet çfarë po ndodh me grevën e 150 të dënuarve

schedule16:41 - 2 Tetor, 2020

schedule 16:41 - 2 Tetor, 2020

Në burgun e sigurisë së lartë në Peqin po ndodh ajo që u paralajmërua, greva e urisë nga më shumë se 150 të dënuar. Një burim nga brenda institucionit të vuajtjes së dënimit i tha gazetarit të Abc News, Aldo Kozarja se të dënuarit kanë refuzuar ushqimin duke mos pranuar që të konsumojnë asgjë në shenjë revolte duke nisur grevën e nisur. Në shenjë mbështetje këtyre të dënuarve u janë bashkuar edhe 250 të tjerë që sot kanë refuzuar një vakt të ushqimit.

Ndërkohë që sot është kthyer në qeli në burgun e Peqinit edhe Albion Aliko, i cili pak ditë më parë u dërgua në spital për ndihmë shëndetësore pas probleme që i filluan pasi refuzoi ushqimin në momentin që u fut në regjimin “41-bis”. Aliko ka qenë pjesë e grupit që kundërshtuan me armë duke i marrë jetën efektivit të RENEA-s në Lazarat disa vjet më parë.

Ai u fut në regjimin e posaçëm së bashku me Genci Ballën, i dënuar nga drejtësia shqiptare për rekrutim të besimtarëve për qëllime terroriste, i njohur si imami i vetëshpallur i  “Unazës së Re” i cili po ashtu u transferua  me urgjencë në spitalin e burgut në gjendje të rëndë shëndetësore, por u kthye në qeli. Abc News sjell pamjet ekskluzive të momentit kur ai u transportua nga spitali i burgut në Tiranë në qeli në Peqin ditën e shtunën e kaluar.

Të dënuarit në këtë burg pak ditë më parë i dërguan një peticion Presidentit Ilir Meta, kryetarit të Kuvendit Ruçi, kryeministrit Rama dhe ministres së Drejtësisë me disa kërkesa, kryesoret për amnisti, rishikim të dënimeve dhe heqjen e dënimit përjetë. Deri në marrjen e një përgjigje, ata u shprehën se nuk do të ndërpresin grevën./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!