Kryeministri Edi Rama nderoi figurën e Anastas Janullatos duke thënë se refuzoi qindra ftesa për armiqësi dhe polemika.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë mortore për kryepeshkopin, Rama tha se shembulli që ai la duhet të ndiqet nga të gjithë në të dy vendet.
“Mjafton ta dëshirosh dhe ke plotë çfarë të mësosh prej trashëgimisë së këtij njeriu që refuzoi me përulësi të rrallë qindra, mbase mijëra ftesa për armiqësi, për duel, për polemikë të cilat i erdhën pa kursim nga të katërta anët deri në ditën e fundit të jetës. Ai që duke mos qenë as vendas, mund të ishte dhe më i legjitimuar të vinte kujën për diskriminimin dhe keqtrajtimin parapëlqeu të ndiqte udhërrëfyesin e apostullit Pal apo Pavël siç e thërrasin ortodoksët, “megjithëse jam i lirë kundruall të gjithëve u bëra shërbëtori i të gjithëve, që të tërhiqja pas fjalës së Zotit sa më shumë njerëz”.
I lexuar si pak të tjerë dhe i hapur ndaj kulturës së madhe kryepeshkopi i nëntë gjuhëve që me mua kishte qejf të argëtohej duke këmbyer ndonjë fjalë mbi xhevahiret e Biblës po edhe të letrave laike, në ato pak momente që mbeteshin pasi më qante hallet e Kishës me siguri nuk do të mbante mëri, por jam i bindur do vinte në gaz këtë buzën e tij që për hir të së vërtetës i thoshte të tëra bashkë me ato që nuk thoshte sepse dua t’ia jap lamtumirën me disa rreshta të një emri të mallkuar, Oscar Wilde në De profundis-in e tij.
“Pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë për t’u dashur dhe për t’u adhuruar nga të tjerët, por ne duhet të jetonim për të dashur dhe për të adhuruar të tjerët. Nëse dikush na jep dashuri, duhet ta pranojmë vetë se jemi të padenjë për tu dashur. Askush s’është i denjë për t’u dashur. Vet fakti që Perëndia e do njeriun, na tregon se në rendin hyjnor të gjërave dashuria e përjetshme u jepet pikërisht atyre që janë përjetësisht të pa denjë për të. Nëse kjo duket fort e hidhur le ta kthejmë së prapsi dhe le të themi që gjithë njerëzit janë të denjë për t’u dashur me përjashtim të atyre që e meritojnë me të vërtetë”.
Fort të dashur besimtarë ortodoksë të mbledhur këtu nga të katër anët e këtij vendi, por dhe nga më larg, sot komuniteti ortodoks, jo vetëm në Shqipëri, por kudo gjetkë ka zi.
Sot kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është në zi, por le ta themi serish me Shën Palin apo Pavlin “Gëzohuni gjithnjë në Zotin”. Jua përsëris, gëzohuni”.
Humbët në këtë jetë kryepeshkopin e 33 viteve që përmes fjetjes në Zotin, “ndërroi jetë”. Kjo ishte një shprehje që ai e konsideronte ndër më të bukurat e gjuhës shqipe, por ama fituat Anastastin e Shqipërisë! Fituat një avokat atje lart, pranë Zotit që liturgjia e Shën Joan Gojartit e quan aq bukur një “mik të njeriut”.
Fituat shembullin e një shpërblestari të pajtimit në tokë që tashmë iu takon të gjithëve ta ndiqni dhe për hir të së vërtetës na takon të gjithëve ta ndjekim në këtë dhe në atë anë të kufirit, i cili nuk na ndan aq shumë sa në të vërtetë na bashkon. Paqja qoftë me shpirtin e Anastasit të Shqipërisë në amshim dhe përdëllimi i kësaj dite sjelltë në zemrat e gjithsecilit prej jush ngushëllimin e Zotit të jetës.”, tha Rama. /abcnews.al