Refuzimi i negociatave, analistët serbë: BE dha mesazh se zbatimi i rregullave nuk shpërblehet

schedule21:00 - 18 Tetor, 2019

schedule 21:00 - 18 Tetor, 2019

“Lajm tmerrësisht të keq” e konsiderojnë analistët serbë, refuzimin e disa vendeve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, mesazhi që u dha nga BE është se plotësimi i disa rregullave nuk shpërblehet.

“Në këto kushte,vendet e Ballkanit duhet të forcojnë bashkëpunimin me njëra-tjetrin”, sugjerojnë ata.

Serbia nuk ka pritur mirë lajmin negativ nga BE-ja për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Kjo në Serbi dhe rajon i ftohë pritjet, sidomos kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Marrëveshja e Prespës nuk është shpërblyer dhe shtrohet pyetja nëse do të shpërblehet ajo që do vinte me Kosovën. Analisti Dushan Janjic, thotë se nuk duhet dëshpëruar pasi vendet e rajonit nuk janë të gatshme për Bashkimin Evropian.

Sipas tij, Ballkani do të ngelet në rutinën e proceseve të saj, por më e rëndësishme se sa fillimi i negociatave është se kur do të përfundojnë ato.

Kanë zgjidhur një problem që e kanë krijuar vet dhe nuk mund të presin që Evropa ti qerasë me hyrje deri në vitin 2025. Nuk do të hyjë askush, nëse është për ngushëllim as Serbia, të paktën jo para vitin 2030. Duhet përgatitur në reforma serioze, më pak eksperimente dhe më shumë punë. Këto vende duhet të bëjnë më pak kërcënime ndaj BE-së, pasi kjo ka ndodhur edhe nga Tirana edhe nga Beogradi dhe Perëndimorët dinë të kthejnë përgjigje“, tha Dushan Janjic.

Ky lajm ishte i rëndësishëm për të matur nëse dikush nga Ballkani do të ketë dyert hapur. Analistët thonë se mund të jetë dhe shtytje pasi rezultati duhet arritur në terren.

Analisti, Dejan Miletic, thotë se vendet e rajonit do të duhet të bashkëpunojnë më shumë mes vete pasi BE-ja nuk ofron një zgjidhje.

“Është një lajm tmërresisht i keq dhe një mesazh i keq për shtetet dhe popujt në rajon. Kjo, nënkupton se iluzionet që nëse do të ndjekim disa udhëzime apo rregulla nënkuptojnë shpërbim më nuk vlejnë. Bëhet fjalë për një vendim pragmatik të BE-së që është në krizë të brendshme”, tha Dejan Miletic.

Serbia ka mbështetur zyrtarisht negociatat e BE-së për fqinjët, pavarësisht se vet është në proces, por pa zhvillime të mëdha në afrimin me Brukselin./abcnews.al