Refuzimi i Maduro, vendet e BE-së njohin liderin e opozitës

schedule22:55 - 4 Shkurt, 2019

schedule 22:55 - 4 Shkurt, 2019

Pak pas refuzimit të presidentit Nikolas Maduro për të organizuar zgjedhje të parakohshme, vendet e BE-së kanë njohur liderin e opozitës si kryetarin legjitim të shtetit të Venezuelës. Duke reaguar, Karakasi zyrtar e ka cilësuar vendimin e unionit si nënshtrim përpara presionit amerikan.

Vendet kryesore europiane kanë bashkuar forcat me Shtetet e Bashkuara duke njohur liderin e opozitës së Venezuelës, Huan Guaido, si presidentin legjitim të vendit latin. Lëvizja e koordinuar e 11 vendeve, përfshirë këtu Britaninë, Gjermaninë, Francën, Spanjën dhe 7 vende të tjera anëtare të BE-së erdhi pas skadimit të afatit të ultimatumit vendosur ndaj presidentit Nikolas Maduro, për të thirrur zgjedhje të parakohshme presidenciale. “Nga sot nuk do t’i kursejmë përpjekjet për të ndihmuar qytetarët venezuelianë të gjejnë lirinë, prosperitetin dhe harmoninë”, deklaroi kryeministri spanjoll Pedro Sançez, duke njoftuar vendimin. Qeveria Maduro, e cila e ka futur vendin në një krizë të thellë ekonomike që ka detyruar rreth 3 milionë banorë të emigrojnë, shpërtheu ndaj vendeve të BE-së dhe tha se lëvizja e tyre do të cënojë marrëdhëniet me Karakasin zyrtar. Në një deklaratë për shtyp, qeveria e vendit latin shprehu refuzimin më të fortë ndaj vendimit të kontinentit të vjetër, që sipas saj iu nënshtrua strategjisë së administratës amerikane për të përmbysur regjimin legjitim të presidentit Maduro. Ekzekutivi venezuelian kritikoi në veçanti Spanjën se kishte vepruar me burracakëri. Ndërkohë, vendet e tjera që iu bashkuan nismës ishin Austria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Polonia, Portugalia dhe Suedia./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!