Alphonso Davies, talenti premtues që u transferua nga Vancouver te Bayern Munich për 10 milion euro, ka nënshkruar një kontratë të re me klubin gjerman. Bashkëpunimi do të vijojë deri më 30 qershor të vitit 2025. I lindur në një kamp refugjatësh në Ganë, i riu ka përjetuar shumë vështirësi derisa familja e tij ia doli të transferohej në Kanada.
“Ishte e vështirë, por një ndjesi e jashtëzakonshme zhvendosja në një vend ku je në gjendje të bësh atë që dëshiron, të bëhesh ai që do. Mendoj se familja ime bëri mirë dhe jam shumë krenar për ta. Shkova në shkollë dhe më ka pëlqyer çdo moment që isha aty. Futbolli nuk zgjat gjithnjë dhe ju duhet arsimimi i duhur që të të shërbejë për një kohë të gjatë”, tregon Davies në një bisedë me Gary Lineker.
Legjenda angleze e pyet për shumë gjëra, duke nisur me këtë periudhë izolimi: “Jam mirë. Ekipi nisi të stërvitet disa javë më parë dhe jam i lumtur për këtë. Është një situatë e vështirë tani, prandaj mendoj se thjesht duhet të ndjekim udhëzimet e autoriteteve dhe të qëndrojmë brenda”. Nga e shkuara në kamp, anësori i majtë nuk mban mend shumë gjëra.
“Nuk mund të kujtoj shumë gjëra për ato vite. Do dëshiroja shumë. Nuk mbaj mend as të luaja futboll atëherë, megjithëse e di që e kam bërë. Nuk është një kujtim që prindërit duan ta ndajnë shpesh me fëmijët e tyre. Ata kanë folur pak, pasi është pjesë e historisë tonë”, shton kanadezi më origjinë nga Afrika.
SI E NISI FUTBOLLIN – “Kur e kuptova se isha kaq i mirë? Jo para se të transferohesha te Vancouver në vitin 2016, kur iu bashkova ekipit të akademisë, Whitecaps. Sa herë shikoja ekipin e parë, thosha: ‘Këtu dua të jem. Kjo është ëndrra ime’. Bëra më të mirën në stërvitje dhe në ndeshje, kurse tani jam duke luajtur për një nga ekipet më të mira në botë”.
Largimi nga shtëpi, në moshën 14-vjeçare, ishte një problem dhe nëna e Davies kishte frikë se djali i saj do bëj një rrugaç. “(Qesh). Ishte shqetësimi i parë i saj. Ajo nuk ishte me mua atje dhe askush nuk më thoshte çfarë të bëja. Por ka një politikë në Whitecaps, që duhet të keni një mesatare të caktuar notash për të qenë në gjendje të stërviteni dhe të luani në akademi. Nëse shikojnë se notat bien, ka raste që edhe të largojnë nga akademia. Ata u kujdesën për mua”.
ARRITJET – Davies ka arritur t’i shënojë skuadrës së preferuar të babait të tij në Champions League. “Babai im është një tifoz i Chelsea. Ai e pëlqente shumë Didier Drogba dhe në TV gjithmonë kishte një ndeshje të tyre kur po rritesha. Kishte shumë ekipe të mrekullueshme për të parë, por unë nuk kisha një ekip të preferuar. Ishte Chelsea, me forcë”.
Lojtari i Bayern është lojtari më i ri i ftuar nga Kanadaja, ndërkohë që u shpall direkt lojtari më i mirë i vitit. “Kur më ftuan në kombëtare më bënë të ndihem se e gjitha puna e bërë ndër vite po më shlyhej. Trajneri pa diçka tek unë kur u bëra qytetar i Kanadasë dhe më çoi në kampin e ekipit kombëtar. Pastaj të shpallesh lojtari më i mirë i vitit, shokuese”.
OFERTAT DHE KALIMI TE BAYERN – Manchester United, Chelsea dhe Liverpool u lakuan si klube që e donin Davies, por gjermanët u treguan më të shpejtë. “Kishte zëra në ajër se klube të ndryshme po më shikonin, por nuk e dija se cilat ishin. Askush nuk më tha asgjë. Pastaj mora një mesazh: ‘Bayern Munich do t’ju takojë’. Në ato momente thosha me vete: ‘Zoti im, është e vërtetë?!’. isha i emocionuar dhe i trembur në të njëjtën kohë. Thjesht duhet t’i tregoja vetes se mund të përballoj këtë nivel”.
Te Bayern ai do shikonte yje të futbollit dhe e pranon se kishte frikë: “ Kisha frikë disi. I kisha parë në TV që kur isha fëmijë dhe tani isha duke i parë nga afër, duke i njohur personalisht, duke u stërvitur dhe luajtur me ta. U frikësova shumë. Kur Arjen Robben u prezantua me mua, nuk mund ta besoja”.
OBJEKTIVAT – Davies kishte provuar që fëmijë të lëvizte nga një vend në tjetrin dhe kjo e ka ndihmuar atë. Gjithashtu ai ka një ëndërr dhe një dëshirë: të frymëzojë refugjatët. “Mendoj se lëvizjet e mëparshme më kanë ndihmuar që të lëviz jashtë vendit tim. Nëse nuk do t’i kisha bërë ato lëvizje, atëherë do të qëndroja në shtëpi edhe më shumë.
Dua ta përdor platformën time të komunikimit për të folur për refugjatët dhe historinë time personale, që të frymëzoj njerëzit të arrijnë diçka. Është shumë e vështirë për njerëzit në kampe refugjatësh, të bëjnë çdo lloj distancimi social. Ata kanë nevojë për ujë të pastër, sapunë për të larë duart dhe për ushqim”.
LEXO EDHE: “Kërkonim ushqim mes kufomave”, historia rrëqethëse e yllit të Bayern
“Dëshira e madhe? Futbolli vjen i pari, por unë dua të bëhem aktor. Më pëlqen të argëtoj njerëzit dhe TikTok ma jep mundësinë për ta bërë këtë në njëfarë mënyre, u lejon njerëzve të shohin tek unë jo vetëm ato që bëj në fushë, u lejon të zbulojnë më shumë mbi personalitetin tim. Normalisht kalon edhe kohën gjatë kësaj pandemie, kur të gjithë jemi në shtëpi”, përfundon Davies. /abcnews.al