Refugjatët ukrainas në shënjestër të trafikantëve të qenieve njerëzore

schedule09:27 - 29 Korrik, 2022

schedule 09:27 - 29 Korrik, 2022

Nga Mario M. Kranjac, The Hill

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës,  më shumë se  5 milionë njerëz janë larguar, ku 90 për qind prej tyre janë gra dhe fëmijë. Sikur të mos mjaftonte fakti që po largohesh nga vendi për shkak të dhunës së luftës, ekziston një tjetër kërcënim i tmerrshëm: trafikimi i qenieve njerëzore.

Në maj, Bashkimi Europian zhvilloi  një “hackathon” ku ata rishikuan platforma të ndryshme në rrjetet sociale për të kërkuar shenja të trafikimit. Pasi kërkuan për vendet e strehimit dhe punës, si dhe reklamat që pretendonin se ndihmonin refugjatët ukrainas, forcat e rendit gjetën disa të dhëna për disa trafikantë dhe viktima të mundshme.

Në mënyrë të ngjashme, një grup në Facebook zbuloi anëtarë të dyshimtë që postonin mundësi pune ose strehimi që dukeshin jo të besueshme. Kur refugjatët detyrohen të largohen nga atdheu i tyre, ata shpesh mbërrijnë të rraskapitur, të hutuar dhe të dëshpëruar për të arritur në destinacionin dhe stacionin tjetër të jetës, raporton abcnews.al.

Trafikantët shpesh paraqiten si vullnetarë, si personalisht ashtu edhe në platformat online, duke premtuar ndihma. Tashmë të pambrojtur nga të qenit i huaj përballë gjuhëve dhe kulturave të reja, shumë refugjatë janë të gatshëm të ndërmarrin rreziqe për të gjetur atë që fillimisht mund të mendojnë se është ndihmë.

Kur shpërtheu lajmi për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, bota pa një moment të rrallë uniteti dypartiak në mbështetje të refugjatëve ukrainas. Mediat anembanë vendit vendosën flamujt e Ukrainës në profilet e tyre sociale, politikanët u zotuan për mbështetjen e tyre dhe ne të gjithë gjetën gjuhën e përbashkët duke e vënë veten në vendin e tyre.

Kjo është arsyeja pse është kaq e habitshme që si media ashtu edhe administrata Biden nuk kanë dhënë alarmin për këtë çështje.

Në terren, vullnetarë me përvojë po trajnohen për të njohur kërcënimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Në fakt, Agjencia e Organizatës të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët është plotësisht e vetëdijshme për këtë problem dhe  po ofron  trajnime për vullnetarët, së bashku me pikat e kontrollit për shpërndarjen e ndihmave dhe materiale në mënyrë që refugjatët të dinë se si të mbrohen.

Megjithatë, diçka e tillë nuk është aq e thjeshtë në rrjetet sociale dhe ka pasur një problem në rritje me trafikantët që përdorin platforma të njohura për të penguar refugjatët që kërkojnë mbështetje.

Ndërsa vazhdojmë të pranojmë refugjatët në SHBA, nuk mund të mbyllim sytë ndaj kësaj çështjeje në rritje. Është krejtësisht mizore dhe e neveritshme të shohësh njerëzit të përfitojnë nga më të pambrojturit dhe kjo duhet të na detyrojë të ndërmarrim veprime.

Përpara krizës së refugjatëve ukrainas, administrata Biden ishte e zëshme për qëllimin e saj për të ndaluar trafikimin, duke vënë në dukje se në vitin 2020 ishin raportuar mbi 11,000 raste të trafikimit të qenieve njerëzore.

Duke pasur parasysh situatën aktuale, trafikantët kanë edhe më shumë mundësi për të pre e individëve vulnerabël, por ku është lidershipi për t’i trajtuar këto probleme? Është e qartë se institucionet vullnetare e kanë parë këtë situatë, por ne ende po përballemi me kërcënimin e tyre.

Taktika shumë të ngjashme me ato të përdorura për të synuar ukrainasit përdoren për qytetarët tanë, veçanërisht në internet. Kushdo që ka kërkuar ndonjëherë një shok për të ndarë apartamentin ose kolegjin ka të ngjarë të ketë parë postime dhe reklama të dyshimta, por jo të gjithë janë aq të zgjuar sa të dinë rreziqet.

Duke ftuar refugjatët Presidenti Biden dhe administrata e tij po marrin përsipër përgjegjësinë për t’u siguruar që ata janë të sigurt dhe të mbrojtur sipas ligjeve por nuk ka pasur asnjë deklaratë publike rreth kërcënimit.

Duhet të ketë një reagim.

E para është rritja e ndërgjegjësimit në mënyrë që qytetarët dhe refugjatët të jenë të informuar dhe të përgatitur.

Së dyti, ne duhet t’i bëjmë thirrje Presidentit Biden dhe Kongresit që të ndërhyjnë në përgatitjen e kufijve tanë dhe të punojnë me platformat në rrjetet sociale për të siguruar që refugjatët të përballen me ndihma, jo me tmerr.

Ky bashkëpunim është thelbësor për të siguruar që ukrainasit dhe amerikanët të kenë një përvojë të sigurt në momente kritike të jetës së tyre dhe të mos bien pre e trafikimit.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!