Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, gjatë intervistës që dha për gazetarin Sokol Balla në emisionin “Real Story” theksoi se maxhoranca është e hapur që pjesë e diskutimeve dhe vendimmarrjeve për Reformën Zgjedhore të jenë edhe subjektet politike jashtë parlamentit.
“Ne kemi qenë nga ata që reformën e kemi bërë edhe me parti që kanë qenë jashtë parlamentit. Këta që janë sot në parlament dhe janë bërë në dy tre kampe. Nuk kanë qenë farë në zgjedhjet e 2021-it kur ne bëmë ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ne i bëmë pjesë të Reformës Zgjedhore për hir të asaj që është traditë dhe që e kërkon edhe demokracia. Reformën nuk e bën dot se ke numrat.
Por është një proces që i takon subjekteve politike, që janë alternativë qeverisëse, që garojnë në ato zgjedhje dhe që kërkojnë disa rregulla loje që të bien dakord të gjithë bashkë. Edhe sikur t’i kesh numrat, nëse nuk ka një dakordësi të subjekteve politike, qofshin brenda apo jashtë Kuvendit, dështon. Nuk duhet diskutuar me grupin më të madh apo më të vogël.
Vendimi për komisionin e reformës zgjedhore, bashkë kryesimin e komisioneve nuk ia lë deputetëve por partive politike. Dhe partitë politike të zgjedhin bashkëkryetarët e komisionit. Ky është një proces politik që janë prodhuar disa dokumente juridike. Kjo nënkupton se anëtarët e atij komisioni mund të jenë të gjithë deputetët që përcaktohen nga grupet parlamentare, ndërkohë ne jemi të hapur edhe ndaj partive të tjera që ndoshta nuk janë fare në parlament të jenë pjesë e diskutimeve dhe e marrjes së mendimit.”, thekson ajo./abcnews.al