Drejtoresha e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, Adelina Farrici, ka deklaruar se reforma territoriale e vitit 2014 ka sjellë si përmirësime të ndjeshme, ashtu edhe problematika që kërkojnë rishikim, veçanërisht në drejtim të pabarazive rajonale dhe shpërndarjes së shërbimeve.
E ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Farrici theksoi se pas 12 vitesh nga zbatimi i reformës janë evidentuar sfida të rëndësishme, duke nënvizuar nevojën për një trajtim më të barabartë të bashkive në aspektin financiar, të shërbimeve dhe të demokracisë lokale.
“Në vitin 2014 u ballafaquam me një reformë të thellë territoriale që kishte ambiciet e saj. 12 vite ishin të mjaftueshme për të parë problematikat dhe sfidat. Reforma 2014 nuk duhet të shihet bardhe e zi, pati shumë gjëra pozitive. Kemi përmasime të ndjeshme në shërbime, në anën financiare, në burimet njerëzore në bashki. Por, kemi edhe elemente të tjera, siç është pabarazia në rajone të ndryshme. Kemi bashki që janë totalosht të varura nga grandi shoqëror, kemi bashki që nuk kanë mundësi, kemi dhe bashki që kanë një lloj autonomie.
Problematika kryesore që duhet të diskutohet është shpërndarja e shërbimeve në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e vendit. Mirëpo bashkitë nuk shihen vetëm si institucione shërbimi. Edhe elementi i demokracisë lokale është një element shumë pozitiv, ka të bëjë me përfaqësinë, a janë të mirëpërfaqësuar. Është një element që duhet të adresohet”, tha Farrici.


