Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbian Mazniku, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News e vlerësoi si të suksesshme Reformën Territoriale të vitit 2014.
Ai theksoi se reforma solli reduktimin e njësive vendore nga 373 bashki dhe komuna në 61 bashki, duke rritur ndjeshëm funksionalitetin e tyre. Sipas Maznikut, megjithëse bashkitë sot janë më efikase, vijojnë të ekzistojnë sfida, veçanërisht në sigurimin e fondeve dhe kapaciteteve teknike, si mungesa e inxhinierëve për hartimin e planeve urbanistike.
Ai nënvizoi nevojën për gjetjen e një ekuilibri mes ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe mundësive reale të institucioneve vendore, duke theksuar se bashkitë e vogla nuk kishin ekonominë e shkallës dhe kapacitetet e nevojshme për të garantuar shërbime cilësore.
“Ne kemi kaluar nga 373 bashki e komuna në 61 bashki. Reforma e 2014 ka qenë një reformë me rezultate të jashtëzakonshme. Kemi bashki shumë herë më funksionale nga sa ka qenë. Kemi probleme që kemi bashki që nuk kemi ende bashki që nuk kanë fonde mjaftueshme, nuk kanë inxhinierë për të bërë planet.
Ne duhet të gjejmë një ekuilibër mes qytetarit për t’i ofruar shërbimin dhe mundësisë së institucionit për t’i dhënë shërbimin qytetarit. Logjika është që duhet të jetë e munguar që t’i ofrohet shërbimi. Komunat dhe bashkitë e vogla ishin të limituara. Nuk kanë ekonominë e shkallës. Duhet të krijohet një mekanizëm që të krijohen kapacitetet për të krijuar mundësitë, inxhinierë për të bërë planet e urbanistikës etj”, tha Mazniku./abcnews.al


