Avokati Edmond Petraj ka komentuar reformën territoriale dhe propozimet për riorganizimin e bashkive, duke theksuar se procesi duhet të shoqërohet me konsultime të gjera me qytetarët.
Në një intervistë në “Newsroom” në ABC News, Petraj tha se reagimet e krijuara pas diskutimeve për reformën i kanë shërbyer Partisë Socialiste, pasi kanë nxitur debatin publik.
“Sipas meje, reagimi që ndodhi i bëri më shumë nder PS-së. Marrëdhëniet për të cilat foli Rama, që të gjithë do të dëgjohen, demokracia tregohet duke dëgjuar dhe reflektuar atë që thonë qytetarët”, u shpreh ai.
Avokati kërkoi që të bëhen të qarta kriteret mbi të cilat do të vendoset për bashkitë që do të shkrihen apo bashkohen.
“Duhet parë se ku janë bazuar për shkrirjen e një bashkie. Po ashtu, për pjesën që thonë se e kemi detyrim ndaj BE-së, mendoj se kjo nuk duhet të përdoret si argument”, deklaroi Petraj.
Sipas tij, deklaratat për riorganizimin territorial duhet të shoqërohen me dëgjesa me komunitetet lokale, pasi prekja e këtyre çështjeve lidhet edhe me elementë emocionalë për banorët.
“Tek pjesa për të cilën Rama e preku me teza, mund të thuhet se ka edhe një pjesë emocionale, pasi duhet të bëhen dëgjesa me qytetarët”, tha ai.
Petraj shtoi gjithashtu se në vend ka edhe bashki të tjera që, sipas tij, nuk e justifikojnë vazhdimin e funksionimit si njësi më vete, edhe pse nuk janë pjesë e propozimeve aktuale për t’u bashkuar.
“Ka edhe bashki të tjera, ndryshe nga ato që janë propozuar të shkrihen, që sipas meje nuk e meritojnë të jenë bashki”, përfundoi avokati.
/abcnews.al/


