Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Klevis Jahaj, duke folur për reformën e ujit tha se riorganizimi kishte për qëllim përmirësimin e gjendjes financiare të shoqërive. I ftuar në “Money Report” në ABC News, Jahaj theksoi se në këtë kuadër u ulën detyrimet e prapambetura.
“Masat që u morën në drejtimin e ministrisë së Infrastrukturës dhe Agjencisë së Ujësjellës Kanalizimeve ishte ndalimi i krijimit të detyrimeve të reja që e kishin vendosur sektorin në një rreth vicioz. Në këtë kuadër, gjatë formimit të shoqërive rajonale, u paguan detyrimet e sigurimeve që mund të ishin të prapambetura, detyrimet e punonjësve dhe aktualisht nuk ka krijime të detyrimeve të reja. Gjithashtu gjatë 2024, u arrit që në nivel sektorial të paguhej 99 për qind e faturës elektrike. Aftësia paguese e shoqërive të mëparshme ka qenë 45-68 për qind të faturave mujore.”, u shpreh ai.
Jahaj tha se gjatë vitit 2024, pati një trend pozitiv të reduktimit të ujit pa të ardhura, gjë që sipas tij, është një tregues bazë i performancës teknike dhe financiare të sektorit.
Ai u shpreh se aktualisht janë krijuar 14 shoqëri rajonale, ndërsa Tirana, Kamza dhe Vora funksionojnë si të ndara por mbahen nën monitorim.
“Kemi konkuduar deri tani 14 shoqëri rajonale. E Tiranës me Kamzën dhe të Vorës operojnë si individuale por janë në monitorimin e ministrisë. Kjo reformë është proces, dhe vetë marrëveshjet me shoqëritë rajonale kanë afat 10 vjeçar dhe më pas do të shihet ecuria për të përcaktuar reformimin e sektorit“, shtoi Jahaj.
Sa i përket unifikimit të tarifave të ujit, ai tha se:
“Në fokusin e procesit të reformimit nuk kanë qenë tarifat baza kryesore por forcimi i strukturave bazë organizative. Ne kemi futur edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, për shoqëritë rajonale, planet e biznesit 5 vjeçar, nivelin e tarifave që duhet të ketë për mbulimin e kostos direkte. Nuk është parashikuar unifikim i tarifave por harmonizim të tyre duke qenë se shumë bashki mund të jenë bazë të mënyrës se si organizojnë.”
Duke u ndalur te investimet e reja, Jahaj tha se gjatë vitit 2024 kanë nisur rreth 35 projekte që prekin 29 bashki. Për Task Forcën për ujërat e ndotura, Jahaj u shpreh se shumë biznese i janë bashkuar kësaj nisme. Ai gjithashtu shtoi se task forca do të vazhdojë monitorimin edhe gjatë vitit 2025./abcnews.al