Eksperti për pensionet, Kujtim Hoxha thotë se përpara se të rriten pagat në shtet, duhen rregulluar disa elementë të punësimit.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Hoxha u shpreh se duhet një reformë për riorganizimin e administratës publike.
Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Pranvera Resulaj deklaroi se nuk ishte menduar se Shqipëria do të arrinte zhvillim digjital që ka aktualisht. Sipas Resulaj, administrata publike nuk është e fryrë.
Pjesë nga diskutimi
Kujtim Hoxha: Në konceptin tim, para se të fillonte kjo reformë, duheshin rregulluar disa elementë të punësimit. Më rezulton që në fund të vitit 2023, ka pasur 826, 928 persona të punësuar. Nga kjo, në sektorin publik, me fondet buxhetore, janë 143,958, shifër jashtëzakonisht e madhe. Si duhet të jenë këto raporte? Këta, kanë disa raporte midis administratës dhe atyre që punojnë. Nuk është punë produktive, nuk shton të ardhurat, këta shërbejnë. Nëse reforma territoriale do të sillte efikasitet, kjo ka dhënë të kundërtën. Bashkitë kanë administratë 3 herë më të lartë. Qeveria nuk gjykohet për atë që bën, por për atë që ka mundësi të bëjë dhe nuk e bën. Duhet organizim, të ulet numri i punonjësve. Nuk ka kuptim, të ketë teknikë, të shtohet numri i punonjësve. Duhen gjykuar për shërbimin ndaj qytetarëve.
Pranvera Resulaj: Nuk ishte menduar që do kishim një zhvillim digjital. 1400 shërbime që ofrohen nëpërmjet digjitalizimit. Flasim për një numër punonjësish që janë aty kur shërbimet ishin manuale. Nuk ka ecur paralelisht produktiviteti i punës me pagat. Po ashtu edhe në sektorin privat. Është rritur paga edhe kur nuk ka pasur produktivitet të rritur. Nuk ka ecur në mënyrë paralele. Nuk e mendoj si problem shqetësues, që është ngarkuar buxheti i shtetit. 100 mijë janë punonjës në shërbimet publike të drejtpërdrejta, mësues, mjekë, punonjës të gardës, është një kategori. Pjesa tjetër besoj se është shifër e domosdoshme.