Nga Hasan Bello
Reforma agrare në Shqipëri ka nisur që në vitet 30-të, kur Mbreti Zog solli nga Italia për të studiuar modalitet një profesor të Universitetit të Firences, Giovanni Lorenzoni dhe ngriti një komision të posaçëm që do të përcakonte direktivat kryesore të këtij projekti.
Në thelbin e saj, ajo parashikonte shpronësimin e pjesshëm të pronarëve të mëdhenj, duke marrë prej tyre vetëm atë pjesë të pronës që konsiderohej e tepërt. Ajo tentoi të pjestonte tokën bujqësore, duke shtuar numrin e pronarëve të vegjël. E gjitha kjo kundrejt shpërblimit monetar.
Por krimi më i madh në historinë e Shqipërisë filloi të zbatohej në nëntor 1944. PKSh-ja ende pa mbaruar lufta kishte shpallur programin për zgjidhjen komplekse të çështjes agrare. Sipas saj, realizimi i Reformës Agrare ishte problemi më i mprehtë në fshat. Me këtë reformë ajo synonte goditjen e shtresës së pronarëve, të cilët i konsideronte armiq dhe, afrimin e shtresës së fshatarëve pa ose me pak tokë.
Enver Hoxha e shihte efektin e kësaj reforme në disa plane. Sipas tij, Reforma Agrare nuk do të ishte as qëllim në vetvete, as një veprim i thjeshtë tekniko-administrativ dhe as një kalim i zakonshëm i tokës nga duart e çifligarëve dhe pronarëve të mëdhenj në ato të fshatarsisë punonjëse.
Përkundrazi, ajo do të ishte një përmbysje e madhe revolucionare, me përmbajtje të thellë klasore dhe me efekte të shumanëshme ekonomiko-shoqërore, sidomos politike e botëkuptimore. Në këtë aspekt, sot pas shumë dekadash objektivat e Enver Hoxhës dhe PKSh-së mund të thuhet me plot gojën se, ia kanë arritur qëllimit.
Në mentalitetin e fshatarit shqiptar marrëdhëniet kapitaliste të prodhimit dhe vetëdija për pronën edhe pas 1991 kur me ligjin 7501 u ribë pronarë mbetet tepër e ulët.
Por si nisi Reforma Agrare e PKSh-së?
Ajo nisi fillimisht me disa masa që përgatitën terrenin për të cilat do të flasim me radhë, për të kuptuar më mirë këtë proces.
1.Konfiskimi i pasurive bujqësore të “armiqve të popullit”
Më 15 dhjetor 1944 Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ) nxorri ligjin mbi konfiskimin e pasurisë të të gjithë arratisurve. Ai parashikonte konfiskimin e pronave të luajtshme dhe të paluajtshme të kundërshtarëve politik që pas nëntorit 1944 ishin detyruar të largoheshin jasht vendit. Për zbatimin e këtij ligji, në Ministrinë e Ekonomisë u ngrit një Komision i posaçëm, i cili do të studionte dhe administronte pasuritë e konfiskuara.
Ky Komision ngriti më pas degët e tij në këshillat nacionalçlirimtare që vepronin pranë prefekturave dhe nënprefekturave e në disa raste edhe pranë ndonjë komune. Ato kishin për detyrë të zbulonin, të regjistronin dhe administronin të gjitha pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara; të bënin studime dhe t`u sugjeronin organeve më të larta për mënyrën e administrimit të këtyre pronave; se cilat prej tyre duhej të mbeteshin në dispozicion të ndërmarrjeve shtetërore dhe cilat mund t`u ndaheshin fshatarëve; të zbulonin përpjekjet e pronarëve për t`i shpëtuar konfiskimit të këtyre pasurive, duke ndryshuar trashëgimi etj.
Për këtë të fundit me 14 janar 1945 Kryesia e KANÇ-it miratoi një ligj me efekt prapaveprues, sipas të cilit, të gjitha aktet e kryera pas Konferencës së Pezës (16 shtator 1942), që kishin të bënin me ndryshimin e gjendjes juridike të pronësisë mbi këto pasuri, nuk kishin asnjë vlerë. Kjo është një nga masat më unikale në botë. Ajo synonte konfiskimin e pasurive të kundërshtarëve politik, të shitura dy vjet para se komunistët të vinin në pushtet.
Me pretekste nga më të ndryshmet, duke shfrytëzuar dispozitat e mësipërme ligjore dhe vendimet e gjyqeve popullore kundër “kriminelëve të luftës”, komunistët konfiskuan me qindra dhe mijëra shtëpi, prona të tundshme dhe të patundshme, vegla bujqësore, bagëti etj. Sipas statistikave të kohës rezulton se, deri në fund të qershorit 1945 në të gjitha prefekturat ishin konfiskuar 21.485.3 hektar tokë dhe 16.146 rrënjë ullinj.
Në radhë të parë ato i përkisnin personaliteteve të Ballit Kombëtar, Legalitetit, nacionalistëve dhe të gjith atyre që kishin bashkëpunuar me qeveritë kuislinge. Por këtu bën pjesë edhe shumë pronarë të shtresës së pasur dhe të mesme që gjatë luftës kishin mbajtur një qëndrim asnjanës dhe nuk kishin mbështetur komunistët. Nuk mungonin edhe raste kur pre e kësaj fushate binin edhe persona për arsye hakmarrje dhe xhelozie të fqinjëve e bashkëfshatarëve të tyre, që ishin bashkuar me lëvizjen.
Pronat e sekuestruara iu shpërndanë fshatarëve të varfër për shfrytëzim derisa të zbatohej Reforma Agrare. Ndërsa ato prona bujqësore që ishin të pajisura me agroteknikë dhe që ishin organizuar mbi bazën e marrëdhënieve kapitaliste, i kaluan ndërmarrjeve shtetërore.
2.Komisionet dhe zyrat për tokat e shtetit
Sipas të dhënave arkivore rezulton se regjimi komunist trashëgoi nga shteti i mëparshëm 65.643.1 hektar tokë çifligje shtetërore, nga të cilat rreth 50.000 hektar tokë ishte e punuar ose e punueshme. Kjo bëri që në dhjetor 1944 në Ministrinë e Ekonomisë të ngrihej një komision për tokat e shtetit, i cili kishte si detyrë për të studiuar gjedjen e këtyre çifligjeve dhe për të përgatitur zbatimin e Reformës Agrare.
Komisione të ngjashme do të ngrihen edhe pranë këshillave nacionalçlirimtare pranë prefekturave dhe nënprefekturave, të cilat funksionuan deri në krijimin e komiteteve të fshatarëve të varfër dhe me fillimin e zbatimit të Reformës Agrare.
Për shkak të zgjedhjeve që do të mbaheshin në dhjetor 1945, më 23 janar të këtij viti Ministria e Ekonomisë u dërgoi këshillave nacionalçlirimtarë një qarkore, sipas së cilës, komisionet e mësipërne autorizoheshin që t`u ndanin tokë familjeve që kishin nevojë. Kjo ndarje ishte provizore, vetëm për një mbjellje, sepse definitivisht atyre do t`u jepej tokë pas Reformës.
E gjitha kjo ishte në funksion të zgjedhjeve dhe fushatës elektorale; për të evituar çdo pakënaqësi që mund të përdorej nga kundërshtarët e regjimit, megjithëse rezultatin komunistët “e kishin në xhep”. Një skemë e ngjashme u ripërdor edhe me ligjin 7501, i cili fillimisht e ndau tokën në përdorim. Edhe në janar të 1945 sasia e tokës që u nda nuk ishte njëlloj.
Kjo varej nga kërkesa për tokë, nevojat e seicilit bujk dhe sasia që kishin në dispozicion këshillat nacionalçlirimtare dhe komisionet. Një çudi tjetër ishte se, fshatarët e varfër për tokën që morën në përdorim, nuk i paguan shtetit asnjë qira.
3.Ndalimi i shitblerjes, tjetërsimit dhe hipotekimit të pronave bujqësore nga pronarët legjitimë
Politika e ndjekur nga PKSh-ja ndaj pronarëve legjitimë ngjalli panik tek të gjith ata që kishin një copë tokë të trashëguar ose të blerë para vitit 1944 e që padrejtësisht shiheshin me sy të keq nga komisionet e shtetit. Kjo bëri që disa prej tyre të bënin përpjekje për ta shitur, tjetërsuar ose dhuruar tek fëmijët e tyre, me qëllim që t`i shpëtonin konfiskimit.
Për t`i prerë rrugën këtyre veprimeve, të cilat nga PKSh-ja konsideroheshin armiqsore, më 19 janar 1945 Ministria e Drejtësisë i dërgoi një urdhëresë rezervate komiteteve ekzekutive të këshillave nacionalçlirimtare të prefekturave dhe nënprefekturave për ndalimin e shitblerjes, hipotekimit, pjestimit dhe tjetërsimit të pronave bujqësore. Zyrat noteriale dhe të hipotekës u ndaluan të lëshonin akte që kishin si objekt shitblerjen ose, ndryshimin e gjendjes juridike të tokave bujqësore.
Një veprim i tillë ishte në kundërshtim me të drejtat dhe liritë kushtetuese të çdo shteti normal. Ai cenonte rëndë çdo individ dhe kishte si qëllim të godiste të drejtën e pronës private.
Në vijim të kësaj politike që PKSh-ja ndiqte kundër pronarëve ishte dhe projektligji i 14 janarit 1945 për zbritjen e qirave të tokave bujqësore deri në masën 50-70%. Në Kryesinë e KANÇ-it një propozim i tillë hasi në kundërshtimin e Koço Tashkos dhe Sejfullah Malëshovës, të cilët kërkuan që ajo të lihej e lirë nga 1-70%. Këta të fundit me të drejtë e shihnin si diçka absurde ndërhyrjen brutale të shtetit në çështjen e qirasë së tokës, me argumentin se, edhe pronarët e tokave ishin dëmtuar rëndë nga lufta.
Por ky ligj u miratua duke tejkaluar çdo parashikim. Sipas tij, qirave të tokave për vitin 1944 dhe 1945 u bëhej një zbritje nga 1-75% e shumës së përgjithshme. Për të bërë për vete fshatarët për zgjedhjet e dhjetorit 1945, ligji parashikonte faljen e të gjitha qirave të papaguara për periudhën para vitit 1944. Njëkohësisht çliroheshin nga qiratë të gjith ata bujq që kishin pësuar dëme nga lufta si dhe ata që kishin marrë tokë në përdorim nga këshillat nacionalçlirimtarë. Kjo solli si rezultat që shumica e qirave të zbritej mbi 50% dhe që pjesa më e madhe e bujqëve të përjashtoheshin nga pagimi i tyre si të dëmtuar nga lufta.
4.Shtetëzimi i kanaleve vaditëse dhe i vijave të ujit
Më 18 maj 1945 doli ligji që shtetëzonte të gjitha kanalet vaditëse dhe vijat e ujit duke i vendosur ato në dispozicion të ndërmarrjeve shtetërore që do të krijoheshin dhe fshatarëve. Kjo masë ishte vijim i atyre për paralizimin e pronës private.
5.Krijimi i komiteteve të fshatarëve të varfër
Për të përgatitur terrenin për miratimin dhe aplikimin e Reformës Agrare më 20 qershor 1945 Ministria e Ekonomisë nxorri një urdhëresë të posaçme për ngritjen pranë komiteteve ekzekutive, këshillave nacionalçlirimtare të të gjith vendit të komiteteve të fshatarëve të varfër.
Në këto komitete do të merrnin pjesë fshatarë pa tokë dhe të lidhur ngushtë me frymën e regjimit komunist. Ato kishin si detyrë të zbulonin dhe regjistronin të gjitha tokat e shtetit, të privatëve, të enteve fetare, si dhe ato që u ishin konfiskuar “tradhëtarëve” dhe të arratisurve politikë; të gjenin kufinjtë e vërtetë të këtyre pronave, të përcaktonin sa të ishte e mundur sipërfaqen dhe ndarjen e tyre sipas kulturave bujqësore; të regjistronin të gjith bujqit që ndodheshin në këto prona, gjendjen familjare, ekonomike dhe sasinë që kishte në përdorim ose në pronësi seicili prej tyre.
Një detyrë tjetër e këtyre komiteteve ishte që kur të fillonte zbatimi i Reformës Agrare, ato duhej të ndihmonin teknikët për matjen dhe ndarjen e tokave sipas frymëve të familjeve të fshatarëve të varfër, kualitetit të tokës; të zgjidhnin mosmarrëveshjet për kullotat, livadhet e pyjet e përbashkëta etj. Por këto komitete ngarkoheshin dhe me detyrën të kërkonin nga pronarët dhe fshatarët dokumentet e tokës dhe informatat e nevojshme lidhur me përbërjen familjare. Në rast se ndonjëri prej tyre refuzonte ose jepte të dhëna fiktive, përgjigjeshin penalisht, sipas ligjit “Mbi sabotatorët e luftës”.
***
Pasi përgatiti rrethat e mësipërme më 29 gusht 1945 Kryesia e KANÇ-it shpalli ligjin për Reformën Agrare. Sipas këtij ligji, do të shpronësoheshin familjet e mëdha latifondiste, bashkësitë fetare, çifligjet e shtetit dhe pronarët që kishin përfituar nga reforma e Zogut.
Po cila ishte struktura e tokës në Shqipëri para miratimit të kësaj reforme? A kishim ne latifondistë? Sipas dokumentacionit arkivorë dhe statistikave të Ministrisë së Bujqësisë:
1)Në Shqipëri kishte shtatë familje të mëdha “latifondistë”, të cilat zotëronin 3.7% të tokës.
2)Pronarët e pasur, që përfaqësonin 3% të popullsisë së vendit, zotëronin 23% të tokave.
3)Pronarët e mesëm dhe të vegjël, të cilët përbënin 83% të popullsisë, zotëronin 60% të tokës së punueshme.
4)Familjet pa tokë që përfaqësonin 14% të popullsisë.
5)Çifligjet shtetërore zinin 12.7% të sipërfaqes.
Kjo tregon se shumica e tokës zotërohej nga pronarët e mesëm dhe se pothuajse çdo shqiptar ishte pronarë. Pas zgjedhjeve të manipuluara të dhjetorit 1945, ku PKSh-ja “fitoi bindshëm”, nisi faza e dytë e reformës më 27 maj 1946. Sipas saj, çdo kryefamiljari nuk i jepej më shumë se pesë hektarë tokë dhe kur familja i kalonte gjashtë frymë, për çdo kurorë shtesë, jepeshin edhe dy hektarë. Por edhe ky mashtrim nuk zgjati shumë, sepse regjimi komunist ishte armik i pronës private.
Brenda një kohe të shkurtër do të nisë shtetëzimi dhe kolektivizimi i tokës bujqësore. Pronarët e tokave u shpallën kulakë dhe iu nënshtruan persekutimit, internimit dhe burgosjes. Aq absurd ishte ky proces sa që edhe Stalini do ta kritikoi Enver Hoxhën gjatë një vizite në Moskë. Sipas tij, kulakë kishte Bashkimi Sovjetik, ku vetëm njëri prej tyre zotëronte sipërfaqe sa e gjith Shqipëria.
Faza e tretë e Reformës Agrare e 29 gushtit 1945 u realizua pas viteve 90-të. Ajo filloi me miratimin e ligjit datë 17.7.1991 nr.7501, i cili për të ruajtur bazën sociale të komunizmit dhe, për të përdorur politikisht fshatarët shqiptarë e ndau tokën për frymë. Kjo u shoqërua me destabolitet social-ekonomik dhe politik, shkaktoi me mijëra viktima dhe vazhdon ende sot e kësaj dite të jetë burim korrupsioni dhe të cënoi rëndë sigurinë juridike. /abcnews.al
*Titulli është i redaksisë, titulli i autorit: Si u përgatit “Reforma agrare” e 29 gushtit 1945
**Materiali është përgatitur ekskluzivisht për abcnews.al, ndalohet riprodhimi online pa lejen me shkrim të redaksisë!