Tirana pret Laçin të shtunën dhe kjo përballje do të luhet prej orës 17:00. Klubi bardheblu ka vendosur edhe në lidhje me tifozët dhe nuk do ta shlyejë me gjobë gjysmën e dënimit të marrë nga Komisioni i Disiplinës pas derbit.
Kështu, takimi i së shtunës do të luhet me dyer të mbyllura. Bardheblutë kërkojnë kthesën, pas tre ndeshjeve të fundit që kanë marrë vetëm një pikë në sfidën me Flamurtarin. Nëse nuk merren pikët e plota, atëherë situata në kampin bardheblu do të rëndohej.
Pritshmëritë sivjet janë të larta dhe Tirana do titullin kampion. Momentalisht ndodhet në vendin e pestë në klasifikim, por katër skuadrat që ndajnë kreun kanë vetëm nga një pikë më shumë.
Sikurse kuptohet, gara është e hapur për të gjitha ekipet. Gjithsesi 24 herë kampionët e vendit duan që të shkëputen sa më parë në krye. Ky mision nuk ka rezultuar i lehtë deri më tani. /abcnews.al