Shqipëria mund të shkojë drejt një referendumi të rëndësishëm në vitet në vijim. Sinjalet erdhën pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili ka përmendur mundësinë e një konsultimi të drejtpërdrejtë me qytetarët, që mund të përfshijë edhe çështje me karakter kushtetues.
Kjo nismë po diskutohet në një moment të ndjeshëm politik, ku mazhoranca synon të konsolidojë mbështetjen për reforma të rëndësishme, ndërsa opozita ka shprehur rezerva, duke kërkuar më shumë qartësi mbi përmbajtjen dhe qëllimin e këtij procesi.
“Ky është një lajm i mirë, që më në fund ne, politika e ka vendosur në agjendën e vet, pjesën që do u ofrojë qytetarëve të drejtën për të organizuar referendum”, tha ekspertja Gerta Meta.
“Nisma që është marrë për të kanalizuar ligjin për referendumet, ligj i munguar i cili është dashur të realizohet i tillë nga Kuvendi i Shqipërisë, që pas ndryshimeve që u bënë në vitin 2010 në Kodin Zgjedhor”, tha Kristaq Kume.
Po çfarë mendojnë ekspertët zgjedhor mbi këtë çështje?” Ekspertja cilësoi një sërë çështjesh të cilat nuk mund të zgjidhen përmes referendumit, por tha se ky është një moment i artë për adresimin e problematikave.
“Referendum mbi të drejtat e njeriut nuk mund të iniciojnë as qytetarët dhe as politikanët. Në procesin e buxhetimit nuk mund të merren iniciativa nga qytetarët. Gjëra që lidhen me buxhetin e shtetit, janë gjëra që nuk lejohen dhe nuk do të jenë pjesë e objektit të organizimit të një referendumi. Natyrisht për sigurinë kombëtare, që ka një lloj hierarkie që shteti e respekton. Ky është një moment i artë që do të ndihmojë në procesin dhe në të gjitha problematikat, apo shqetësimet që kanë qytetarë, apo grupe interesi”, shtoi ekspertja.
Politika propozon, por politika mund ta përdorë. Ekspertët shprehen se referendumi duhet të jetë për fuqizimin real të qytetarëve, dhe jo instrument i manipulueshëm nga politika.
“Nuk do të donim që referendumet të përdoreshin vetëm me natyrë të fokusit politik, por përkundrazi më tepër të trumbetohet si një mekanizëm dhe si një instrument që qytetarët do ta përdorin për çështje madhore dhe çështje që i shërbejnë kauzave kombëtare në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh më tej Meta.
“Politika këtu te ne veçanërisht ka kërkuar gjithmonë që të jetë ajo alfa dhe omega e që të jetë ajo alfa dhe omega e çdolloj ndryshimi që mund të bëhet në legjislacion, ose të rregullave në përgjithësi sipas të cilave ne qeverisemi”, u shpreh nga ana tjetër Kume.
Sidoqoftë ekspertët shprehet skeptik lidhur me legjitimitetin e referendumit në rast të pjesëmarrjes së ulët, duke iu refereruar zgjedhjeve parlamentare.
“Ndër pengesat unë listoj vetëm një: që të fitojë alternativa mbi të cilën zhvillohet referendumi duhet që të votojnë pro kësaj alternativë, jo më pak se 1/3 e të gjithë zgjedhësve të Republikës së Shqipërisë. Pra jo më pas se një 1 milionë e 200-300 mijë zgjedhës duhet të votojnë por, gjë që është shumë e vështirë”, përfundoi Kristaq Kume.
Pas propozimeve në tryezat socialiste dhe opinioneve mediatike, drafti për referendumin do të kalojë për diskutim ku pritet qëndrimi i palëve për miratimin final të tij./abcnews.al


