Rebelohet Aleksandër Vuçiç: Mjaft na bëtë moral për lidhjet me Rusinë e Kinën

schedule13:53 - 22 Janar, 2020

schedule 13:53 - 22 Janar, 2020

Në një intervistë për Euronews, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u shpreh se ishte i ngopur nga morali që liderët europianë i bëjnë atij për lidhjet me Rusinë dhe Kinën. Ai ka theksuar se Beogradi i qendron me përkushtim detyrimeve ndaj Bashkimit Europian, kjo pavarësisht tejzgjatjes të paprecedentë të procesit të anëtarësimit. 

Aleksandër Vuçiç, politikan i djathtë në pushtet që nga 2017, u shpreh në një intervistë për Euronews se Serbia ishte ende në rrugën për anëtarësimin në Bashkimin Europian pavarësisht zhgënjimeve të njëpasnjëshme. Në qendër të kritikave të tij janë ata që thonë se Serbia është shumë pranë Moskës dhe Pekinit, duke bërë që anëtarësimi i vendit të bllokohet për gjeopolitikat.

“Serbia nuk është shumë entuziaste, por ne jemi ende të përkushtuar ndaj Bashkimit Europian sepse nuk shohim një alternativë reale. Ne kemi 20 vjet që ndodhemi në këtë rrugëtim. Unë mendoj se përveç Turqisë, asnjë vend tjetër nuk ka pritur kaq shumë”, u shpreh ai.

Ai mohoi se procesi i ngadaltë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ishte arsyeja kryesore që vendi i tij nuk po anëtarësohet, por kritikoi vullnetin e BE-së dhe aleatëve perëndimorë.

“Ishte kryesisht për shkak të marërdhënies mes Beogradit dhe Prishtinës. Por në të njëjtën kohë, madje dhe sot, e diskutova këtë çështje jo vetëm me zyrtarë europianë por dhe me Sekraterin Amerikan të Shtetit, Pompeo. E pyeta se nëse rregullohemi me Prishtinën, nëse gjejmë një zgjidhje, a do të ishte e mjaftueshme për të qenë pjesë e Bashkimit Europian? Dhe askush nga BE apo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të konfirmonte se Serbia atëherë do të ishte anëtare e BE-së. Kjo do të thotë se ne duhet të presim për një vendim dhe përfundim nga BE, nëse duan ta shohin Serbinë si pjesë e Bashkimit Europian apo jo”, tha më tej Presidenti i Serbisë.

Lideri serb u shpreh se nuk mund të thuhej se marrëdhënia me BE-në ishte nga më të mirat por gjithësesi ai ishte shumë mirënjohës ndaj Brukselit për ndihmëne dhënë gjatë përmbytjeve që goditën vendin në 2014-ën.

Por ai u shpreh i zemëruar ndaj pyetjes nëse do të duhej të zgjidhte mes Moskës dhe BE-së, duke thënë se mediat perëndimore e kanë shumë problem të kuptojnë se lidhjet e Beogradit me Moskën janë për të mirën e popullit serb dhe në interes të vendit.

“Gjithnjë i them Putin, dhe nuk e mohoj këtë, si bëjnë shumë politikanë të tjerë të Bashkimit Europian, sepse kur ata takohen me Putin harrojnë se nga vijnë – i them gjithnjë se vendi im është në rrugën e anëtarësimit në BE dhe se ky është objektivi ynë strategjik. Por kjo nuk do të thotë se kur të bëhemi një vend anëtar ne do të ndërprësim lidhjet me Kinën, Rusinë dhe të tjerë. Për të thënë të vërtetën jam i ngopur nga morali që na bëjnë për bashkëpunimin tonë me Kinën dhe Rusinë, dhe më pas të shoh ata që takohen me XI Jinping dhe Putin më shpesh se unë. Bëni punën tuaj. Ju jeni shtete sovrane. Serbia është shtet sovran. Ne bëjmë çdo gjë që është në të mirë të popullit dhe vendit tonë”, u shpreh Vuçiç gjatë intervistës për Euronews.

Ai theksoi se Serbia nuk do të marrë vendime false për të kënaqur BE-në apo Moskën, dhe pse nuk dihet se kur vendi do të mund të jetë anëtar. Ai tha gjithashtu se “ekonomia serbe është më e forta në Ballkanin Perëndimor me një rritje prej 4.5% vitin e kaluar, gjë që tregon se po ecim në drejtimin duhur”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!