Reali kërkon garanci nga PSG për dëmtimet e Neymar-it

schedule17:10 - 23 Gusht, 2019

schedule 17:10 - 23 Gusht, 2019

Reali i Madridit kërkon garanci nga Paris Saint Germain për dëmtimet e mundshme të Neymar-it. Spanjollët dëshirojnë ta marrin yllin brazilian, por kanë frikë se ai mund të lëndohet shpesh.

Lakmia për ta marrë është e madhe, por po ashtu edhe frika. Neymar mund të jetë një superyll që të siguron gola dhe miliona, por këmbët e brazilianit janë të tilla që japin pak siguri, ndaj edhe Reali i Madridit po mendohet mirë përpara sesa të tentojë që ta marrë.

Gazetat njoftojnë se klubi spanjoll ka kërkuar jo vetëm informacion, por edhe më shumë nga Paris SG, pa hyrë ende në hollësi për vlerën financiare të transferimit.

“Reali kërkon garanci për këmbën e Neymarit, – shkruan gazeta “Marka”, – klubi spanjoll pretendon që PSG të mbajë përgjegjësi në rast dëmtimi”.

Neymari është dëmtuar dy herë në këmbë që kur shkoi në Francë, thuajse në të njëjtin vend, dhe mjekët dyshojnë se struktura e tij fizike është tepër e brishtë për të përballuar ashpërsinë e futbollit profesionist.

Në moshën 27-vjeçare, sulmuesi ka humbur muaj të tërë në dy vitet e fundit, i dëmtuar në ndeshjet ndaj Marsejës në 2018 e kundër Strasburgut në 2019, si dhe kur luajti për kombëtaren e Brazilit.

Presidenti madrilen, Florentino Perez, dëshiron të marrë një tjetër yll të madh, përveç Eden Hazarit, dhe ndoshta edhe Pol Pogbasë, por pasiguria e tij është e madhe. Gjithsesi, përfaqësues të Realit janë në Paris për të biseduar për transferimin e mundshëm të Nejmarit, ndërsa Barcelona duket se nuk ka mundësi financiare për t’ia dalë.

Informacionet nga Franca janë që PSG hodhi poshtë një ofertë të spanjollëve prej 100 milionë eurosh, plus kartonin e tre lojtarëve, Gareth Bale-t, James Rodrigezit e Kejlor Navasit.

U ngulmua shumë se portieri Navas është shumë pranë kalimit te kampionët e Francës, veçse ishte vetë trajneri Zinedine Zidane që i hodhi poshtë këto zëra.

“Nuk e imagjinoj dot një Real pa Kejlorin, – ishin fjalët e tij para ndeshjes së radhës në ligë, – unë jam kundër largimit të tij”.

Gjithsesi, pritet që Reali të këmbëngulë fort për talentin e madh brazilian, që do të ishte pasardhësi i natyrshëm i Cristiano Ronaldos, për t’u bërë ylli kryesor I epokës së re të presidentit Perez./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!