Reali ka gati 160 milionë për Pogba

schedule08:09 - 31 Korrik, 2019

schedule 08:09 - 31 Korrik, 2019

Reali i Madridit është gati të paguajë 160 milionë euro për kartonin e Paul Pogba. Klubi spanjoll është i shqetësuar pas humbjeve në miqësore, ndërsa do të mbajë Gareth Bale dhe James Rodrigezin.

Një verë e çuditshme edhe për klubet më gjigandë të futbollit në Europë, me Realin që vërtet po ia kalon keq. Objektivi i madh i mbetur për t’u marrë është Paul Pogba, ylli i Manchester United, ndërsa siç thuhet në shah, madrilenët janë në “cajtnot”.

Afati i transferimeve në Premier Ligë mbyllet në 8 Gusht, atëherë kur nis kampionati. Presidenti Florentino Perez mësohet se ka bërë ofertën e tij të vendosur, 160 milionë euro, shumë pranë vlerësimit të anglezëve prej 170 milionë eurosh.

Nuk dihet nëse në “Old Traford” do të pranojnë, me trajnerin Solskjaer që ka nevojë për përvojë në një skuadër me talent, por me mjaft lojtarë të rinj. Për Realin, duket se kampioni i botës është gjithashtu i rëndësishëm, pasi gjërat në skuadër nuk po shkojnë mirë.

Jo vetëm po pësohen humbje në miqësore, si 1-3 ndaj Bayern e 3-7 kundër Atletikos, por edhe disa nga lojtarët po zhgënjejnë. Eden Hazard cilësohet si mbi peshë, dhe kjo ka mërzitur shumë trajnerin Zidane dhe drejtuesit e klubit, Luka Joviç u dëmtua, ndërsa Gareth Bale është “as mish, as peshk”, as i ikur, dhe as i bashkuar me skuadrën.

Gjithsesi, Bale me shumë gjasa do të mbetet në Madrid. Mediat shkruajnë se klubi nuk lejoi kalimin e tij në Kinë me rrogë më shumë se 1 milionë euro në javë, pasi drejtuesit mendojnë se skuadra nuk e ka cilësinë e duhur për t’ia dalë pa uellsianin.

Mësohet se presidenti ka vendosur kundër dëshirës së Zidane-t edhe për James Rodrigezin, me kolumbianin që duket se nuk do të shkojë tek Napoli, por do të qëndrojë në “Santiago Bernabeu”. Reali nuk dëshironnë asnjë mënyrë që të përsëritet sezoni i kaluar, tërësisht i dështuar, por besimi tek Zidane duket se është tronditur seriozisht./ABC News Albania 24/7