Reali dështon në Champions

schedule15:05 - 3 Tetor, 2018

schedule 15:05 - 3 Tetor, 2018

Reali i Madridit është në krizë edhe në Champions, dhe jo vetëm në kampionatin spanjoll. Kampionët e Europës nuk po shënojnë dot gola në mungesë të Kristiano Ronaldos.

Në paradën e yjeve që sfiluan në kryeqytetin e Rusisë mungonte dikush.

Ky dikush është pikërisht fytyra e golit për Realin në gati një dekadë, dhe këto mrekulli nuk mund të shikohen më nga Madridi.

Mungesa e superyllit, të larguar për tek Juventusi, ishte ndjerë edhe javët e kaluara, por u bë akute sidomos në ndeshjen numër 2 në Champions, atë të humbur 0-1 në fushën e CSKA-së së Moskës.

Një ndeshje anormale dhe e nëmur për kampionët e kontinentit në tre sezonet e fundit, që dominuan plotësisht dhe në çdo drejtim, por që dolën nga fusha pa asnjë pikë.

Mediat dhe tifozët kanë vënë në pikëpyetje trajnerin Hulen Lopetegi, pas problemeve radhazi të skuadrës së tij, dhe po ashtu sulmuesin Karim Benzema, që duhet të mbushte boshësinë e lënë nga Kristiano.

Natyrisht, madrilenët patën një minus të madh me mungesën e kapitenit Sergio Ramos, që u la pushim, dhe me lojtarin më të mirë të botës së FIFA-s, Luka Modriç, që hyri në lojë vetëm pjesën e dytë.

Gjithsesi, diçka nuk shkon dhe gazetat nuk u përmbajtën.

“AS”: Një dhuratë dhe tri shtylla! Zotërim topi 69 për qind, 26 gjuajtje, 589 pasime, Karvahal i dëmtuar!

“Sport”: Të shpërfytyruar! Reali në ndeshjen e tretë pa shënuar, ndërsa vuan largimin e Kristianos!

Gazeta “Marka”: Tjetër zhgënjim i Madridit të Lopetegit! Pesë orë e 19 minuta pa shënuar një gol! Portieri Navas: Kristiano e la stekën tepër lart, nuk mund ta mbulojmë diellin me shoshë!

Ja fjala e plotë e Kejlor Navasit:

“Kristiano e la stekën shumë lart, dhe ne nuk mund ta mbulojmë diellin me shoshë. Ai shënoi shumë gola, kur ishte këtu, por tashmë kjo I përket së kaluarës dhe ne nuk mund të jetojmë duke menduar të kaluarën. Në këtë ndeshje, ne patëm rastë të shumtë, por nuk arritëm të shënonim, ndërsa ata patën vetëm një dhe fituan”.

Trajneri Lopetegi, gjithsesi, ishte sfidues përballë kritikave.

Lopetegi: “Ne bëmë gjithçka për ta fituar ndeshjen, por nuk qe e thënë. Puna e lojtarëve, paraqitja e tyre dhe vullneti i gjithë skuadrës u dukën qartë. Për fat të keq, ndeshja nisi me një të papritur dhe CSKA-ja shënoi, ndërsa ne ishim pa fat. Është e vërtetë që nuk po shënojmë gola, por nuk duhet të dyshojmë tek vetja jonë, apo të biem moralisht. Duhet të vazhdojmë të përpiqemi, pasi nëse luajmë mirë, golat vijnë vetvetiu”.

A do të mundet Reali ta mbrojë titullin për herë të katërt radhazi?

Padyshim që do të jetë tepër e vështirë, pasi pretendentët duken më të fortë dhe më të shumtë se në të kaluarën.

Së pari, ndoshta, Juventusi, skuadra e re e Kristianos, që dominon grupin me dy fitore radhazi, edhe pa portugezin në përbërje.

Paulo Dibala është një “Ronaldo i vogël”.

Kush mund të nënvleftësojë Mançester Sitin?

Pavarësisht se pa emër në Champions, formacioni i Pep Guardiolës është tepër i fortë dhe di edhe të përmbysë rezultate të vështirë.

Natyrisht, nuk duhet harruar Bajerni, edhe pse doli vetëm barazim 1-1 me Ajaksin në “Alianc Arena”.

Bavarezët i kanë të gjitha letrat në rregull për të qenë pretendentë deri në fund. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!