Real Madrid ka zgjedhur të investojë te Erling Haaland. Bomberi norvegjez shihet si qendërsulmuesi i së ardhmes nga drejtuesit e kampionëve të Spanjës. AS raporton se vera e vitit 2022 pritet të sjellë transferimin e 20-vjeçarit në “Santiago Bernabeu”.
Agjenti i tij, Mino Raiola ka rënë dakord me Dortmund, klub me të cilin Haaland ka firmosur një kontratë deri në verën e vitit 2024, që fundi i sezonit tjetër të sjellë shitjen e goleadorit. Shumë klube “big” janë të interesuara për lojtarin viking, por Perez nuk dëshiron ta humbasë këtë mundësi.
Ndërkohë, drejtuesit e “Los Blancos” po mendojnë edhe për dy rinovime. I pari është Dani Carvajal, të cilit i përfundon kontrata në verën e vitit 2022. Marca raporton se Reali ka gati kontratën e re për 28-vjeçarin e linjës së djathtë, që do të zgjasë deri në vitin 2024.
Bisedimet mes palëve janë në rrugën e duhur dhe arritja e akordit është shumë afër. Në fund të këtij sezoni përfundon edhe kontrata e Sergio Ramos, por nuk pritet të ketë probleme për zgjatjen e bashkëpunimit me kapitenin dhe liderin e ekipit. /abcnews.al