Real Madrid kampion europe në basketboll

schedule15:52 - 21 Maj, 2018

schedule 15:52 - 21 Maj, 2018

Europa ka një kampion të ri në basketboll për meshkuj. Ky është Reali i Madridit që triumfoi në finalen e madhe ndaj Fenerbahçes së Stambollit.

Nuk e pati aspak për herë të parë.

Reali i Madridit e fitoi për herë të 10-të titullin kampion të Europës në basketboll, me një tjetër brez të artë.

Kapiteni Felipe Rejes ngriti trofeun e Euroligës në Arenën e Beogradit, duke pasur në krah liderin tjetër, Sergio Jul, ndërsa sapo ishte mbyllur finalja e madhe ndaj Fenerbahçes, me shifrat 85-80.

Ishte padyshim triumfi më i bukur, pasi ishte i fundit, por edhe ndër më të vështirët, përballë atyre që ishin kampionë të Europës në fuqi dhe që drejtoheshin nga magjistari i basketbollit kontinental, Zheljko Obradoviç.

Trajneri serb nuk mundi të ishte ai që të fitonte titullin e 10-të në Euroligë, të tillë shifër pati Reali, por pa dyshim që do t’ia dalë në të ardhmen.

Finalet, sidoqoftë, fitohet së pari nga yjet në fushë dhe pastaj nga teknikët në stol.

Yllin kryesor e pati Reali, dhe ai ishte Luka Donçiç, supertalenti 19-vjeçar slloven, që fitoi titullin e dytë europian radhazi.

Vjet u shpall kampion i Europës me Slloveninë, tani me Madridin.

“Ky ekip ka zemër, kurajë dhe mendje të kthjellët, – u shpreh Donçiç, – ishte një sezon i pabesueshëm për mua dhe për ekipin. Luftuam dhe vuajtëm shumë për të arritur deri këtu, dhe besoj se e merituam. Tani nuk dua të mendoj për të ardhmen time në NBA, por vetëm të festoj”.

Në parket, spanjollët patën edhe heronj të tjerë si Fabien Kosër, Trei Tompkins, Xhejsi Kerrël apo Valter Tavarez.

Për turqit nuk mjaftoi italiani Nikolo Meli, shënuesi më i mirë i ndeshjes me 28 pikë.

Ishte pak edhe amerikani Uonëmejkër, ndërsa yje shumë të vlerësuar si Datome, Slukas, Veseli, Kaliniç apo Muhamed nuk dhanë atë që pritej.

Trajneri madrilen, Pablo Lasa fitoi titullin e dytë në Euroligë, dhe është ndër më të mirët, edhe pse ka fituar më pak trofe sesa Obradoviç.

“Fituam sipas mënyrës sonë, – ishin fjalët e tij pas finales, – Reali mbetet gjithnjë Real. E respektoj shumë Fenerbahçen që luajti finalen e tretë radhazi, respektoj pa masë edhe kolegun Obradoviç, por ne patën planin tonë dhe ia dolëm”.

Tashmë, gjithçka projektohet për sezonin e ardhshëm, ku gjigandët Real, CSKA e Moskës, Fenerbahçe apo grekët Panathinaikos e Olimpiakos do të luftojnë sërish për titullin e Euroligës./abcnews.al