Një gol në kohën shtesë ka shpëtuar Real Madrid nga drama dhe i ka dhënë skuadrës së Karlo Ancelotit biletën për në raundin e gjymsëfinaleve në Kupën e Mbretit në Spanjë.
“Los Blancos” kaluan me shumë vështirësi 3-2 në transfertën e Leganes, falë një ndeshje me dy fytyra. Në pjesën e parë, madrilenët shënuan dy herë, duke dhënë përshtypjen e një sfide të mbyllur përpara kohe.
Modriç kaloi kryesuesit e La Liga në epërsi në minutën e 18-të, ndërsa Endrik dyfishoi shumë shpejt diferencën në rezultat. Vendasit reaguan përpara pushimit, duke u kthyer në lojë me golin e Kruz nga pika e penalltisë.
Në pjesën e dytë, Leganes surprizoi sërish. Kruz gjeti edhe një herë rrugën e rrjetës duke barazuar rezultatin. Pavarësisht dominimit dhe përpjekjeve të shumta të Real Madrid, shifrat mbetën të padryshuara deri në fundin e kohës së rregullt.
Kur pritej që ndeshja të shkonte në kohën shtesë, fati i ndeshjes ndryshoi. I grumbulluar për këtë ndeshje nga skuadra B madrilene, Gonzalo Garcia shpërbleu besimin e Ancelotit, duke shënuar golin e fitores dhe të kualifikimit të Real në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit, ku ashtu si në La Liga konsiderohet si favorit për trofeun./abcnews.al