Real-Barça, luftë dhe futboll/ Tension i madh para finales së sotme të Kupës së Mbretit

schedule14:12 - 26 Prill, 2025

schedule 14:12 - 26 Prill, 2025

Duhej të ishte një kulm futbolli. Gjithë bota e pret me padurim një El Klasiko të Spanjës, por këtë herë finalja e Kupës së Mbretit, Real Madrid-Barcelona, nisi me një tronditje.

Kampionët e Spanjës dhe të Europës vendosën të anulonin konferencën për shtyp dhe seancën stërvitore.

Shkaku?

Konferenca e shtypit e arbitrit kryesor dhe atij të VAR-it e mbajtur përpara ndeshjes, e cila arriti një dramaticitet të lartë, kur arbitrit kryesor, De Burgos Bengoeçea, iu mbushën sytë me lot.

“Flitet shumë për videot e televizionit të Realit të Madridit, sepse këto ndeshje kanë më shumë ndjeshmëri, më shumë pasoja. Po ju tregoj situatat që kanë kaluar disa kolegë të mi. Është shumë e rëndë kur fëmija jot shkon në shkollë dhe ka fëmijë të tjerë që I thonë se babai yt është një hajdut, ndërsa ai kthehet në shtëpi duke qarë. Në rastin tim, unë përpiqem ta bind djalin tim se babai I tij është i ndershëm”.

Çfarë ka ndodhur?

Televizioni i klubit “merenges” transmetoi një video me gabimet e pretenduara të De Burgos Bengoeçeas ndaj Realit, diçka e përsëritur që nga viti I kaluar.

Rastet, sipas Madridit janë të shumta, ndërsa kjo ka bërë që gjyqtarët të vendosen nën presion të madh.

Jo vetëm kaq, por klubi madrilen kërkoi që arbitrat të ndryshoheshin.

Gjithsesi, finalja do të luhet, dhe Reali shpreson që videot për arbitrat të kenë bërë punë.

Barcelona, ndërkaq, nuk pati probleme të tilla.

Skuadra katalanase, që cilësohet favorite në finalen e sotme të orës 22:00 në Sevilje, thjesht u stërvit dhe pastaj bëri udhëtimin e zakonshëm.

Katalanasve u mungon sulmuesi kryesor, Levandovski, autor I 40 golave në 48 ndeshje, që është I dëmtuar.

Gjithsesi, trajneri Hansi Flik mund të ketë treshen e sulmit, Lamin Jamal-Rafinja-Ferran Torres, dhe Dani Olmon pas tyre.

Tekniku gjerman nuk bën parashikime.

“Është më mirë të luash në prani të tifozëve. Kjo është një finale, dhe është përballë Realit. Atmosfera është shumë e mirë dhe ne duhet ta shijojmë atë. Duhet ta shijojmë këtë finale, dhe të japim gjithçka. Ne kemi luftuar për këtë. Ne e nisëm këtë sezon me objektivin për të fituar çdo trofe të mundshëm. Që nga kjo ndeshje ne kemi mundësi të nisim fitimin e tre trofeve. Ky është synimi ynë. Sidoqoftë, unë e di, të gjithë ne e dimë se është e vështirë, sepse po luajmë kundër Realit, dhe ata kanë një skuadër fantastike”.

Tek Reali, Kilian Mbape pritet të luajë, por Kamavinga dhe Alaba janë të dëmtuar. Natyrisht, nuk janë as Militao e Karvahal. Katalanasit, që e kanë fituar Kupën 31 herë, janë favoritë për të shtuar më tej rekordin e tyre, ndërsa madrilenët ia kanë dalë 20 herë. Dy duelet e këtij sezoni janë fituar nga Barça, 4-0 në “Bernabeu” në La Liga, dhe 5-2 në finalen e Superkupës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!