Reagon Trocsanyi pas refuzimit të kandidaturës së tij: Vendimi është politik

schedule13:40 - 28 Shtator, 2019

schedule 13:40 - 28 Shtator, 2019

Lazlo Troksani, kandidat për postin e komisionerit të zgjerimit në Bashkimin europian reagoi për mediat pas bllokimit që iu bë kandidaturës së tij. Ai u shpreh se vendimi është politik dhe nuk ka asnjë provë për konflikt interesi.

Kandidati për postin e komisionerit për zgjerim dhe politikën e fqinjësisë në Bashkimin europian, László Trócsáni, pas bllokimit që iu bë kandidaturës së tij, u shpreh për mediat se vendimi i marrë është politik.

Ai theksoi se nuk ka konflikt interesi me funksionin e tij të mëparshëm në kabinetin e avokatëve “Nagy & Trocsanyi” të themeluar në 1991.

Në deklaratën për mediat ai shprehet se e ka ndërprerë aktivitetin e tij si avokat në këtë kabinet që në vitin 2007 dhe nuk ka marrë asnjë formë shpërblimi apo pagese prej tij.

Sipas Trocsani, ai ka tërhequr aksionet e tij në kabinetin “Nagy & Trocsanyi” me një vlerë nominale që prej 2018, që do të thotë që pezullimi i vlerës që ai ka pasur në këtë kabinet  nuk ka pësuar shtesë as si vlerë aksionesh, as si interes.

Komisionerja e caktuar për politikën e transportit, Rovana Plumb, në ekipit e ri të Ursula Von der Leyen, ishte një tjetër kandidaturë e bllokuar nga Parlamenti Europian para “testimit” në këtë institucion.

Komisioni për çështjet ligjore të Parlamentit Europian vendosi se si në deklaratat e parashtruara nga hungarezi László Trócsáni ka konflikt interesi, së bashku me atë rumunes Rovana Plumb, të caktuar për politikën e transportit.

Si rrjedhim, dy të emëruarit nga qeveritë e tyre respektive nuk mund të vazhdojnë seancat e dëgjesës së javës së ardhshme në Parlamentin Europian për komisionin e Ursula Von der Leyen.

Sipas Parlamentit Europian, letrat e dy komisionerëve të caktuar paraqesin shqetësim për mungesën e qartësisë, por pa preçizuar nëse këto shqetësime mund të tejkalohen.

Presidenti i Parlamentit David Sassoli pritej të konsultohet me komisionin për çështjet ligjore nëse ky shqetësim është i kapërcyeshëm para se t’i shkruajë presidentes Von der Leyen.

Von der Leyen  ka dy opsione. Ajo pritet ose t’ju kërkojë eurodeputetëve të rishqyrtojnë të nominuarit, ose të tërheqë kandidatët dhe t’u kërkonte qeverive të tyre të paraqisnin kandidatë të rinj.

Zyrtarë europianë kanë sqaruar pêr ABC News, se kryeministri Viktor Orban nuk ështê i gatshëm të ndryshojë kandidaturën e László Trócsányit.

Këto janë dy pengesat e para për ekipin e ri të Komisionit Europian të Ursula Von der Leyen, që merr detyrën në 1 nëntor./ABC News Albania 24/7