Reagon Besa: S’i kemi paguar lojtarët, presidenti pa firmë i SFPSH të informohet mirë

schedule15:59 - 20 Qershor, 2020

schedule 15:59 - 20 Qershor, 2020

Besa e Kavajës është përfshirë nga kaosi. Titullarët e skuadrës kavajase, kanë bojkotuar stërvitjen për shkak pse nuk kanë marrë rrogat, gjë që konfirmohet edhe nga Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë.

Me anë të një komunikate për mediat, SFPSH denoncon ngjarjen, thekson se Besa nuk i ka shlyer detyrimet financiare dhe justifikon vendimin e lojtarëve për të mos zbritur në fushë në ndeshjet e ardhshme.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i klubit të Kategorisë së Parë. Besa tregon versionin e saj dhe akuzon ashpër SFPSH dhe drejtuesin e saj, të cilin e cilëson si president pa firmë.

LEXO EDHE: I mashtruan për pagat me muaj të tërë, braktisin ndeshjen titullarët e Besës

FC Besa, pasi u njoh me letrën dërguar nga një “sindikatë” pa vulë dhe me një “president” pa firmë, kërkon të sqarojë tifozët dhe të gjithë palët e interesuara rreth situatës së krijuar në media.

FC Besa, për ish-titullarët (70% e të cilëve kanë përfunduar kontratat në datën 31.05.2020), pranon që akoma nuk i ka përmbushur detyrimet e plota kontraktuale, kjo si pasojë e problemeve me likuiditetin e aksionerëve, e cila ka ardhur si rrjedhojë e situatës jo normale që solli pandemia globale.

FC Besa garanton që njeh çdo përgjegjësi dhe detyrim karshi ish-titullarëve, bazuar në kontratën e firmosur midis palëve. Njëkohësisht, fton “presidentin pa firmë” të “sindikatës” të marrë informacione më të sigurta rreth kontratave të lojtarëve para se të dalë në “deklarata bombastike” në media, për t’u fshirë nga dështimet e njëpasnjëshme të tij dhe “sindikatës” që drejton“. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!