Duke folur për situatën mes Ukrainës dhe Rusisë, analisti Ardjan Arifaj është ndalur edhe tek reagimi që Serbia ka bërë ndaj Rusisë. Në “Radarin Informativ”, Arifaj është shprehur se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është njeriu më i besueshëm i Perëndimit në këtë shtet, pavarësisht reagimit të fundit jo të duhur për luftën mes Rusisë dhe Serbisë.
“Vuçiç është njeriu më i besuar i perëndimit në Serbi. Më të sigurt e kanë të diskutojnë me Vuçiç se me të tjerë. Ka zgjedhje tani me 3 prill në Serbi, dhe reagimet ishin më të buta ndaj Rusisë”, tha Arifaj.
“Amerikanët e pranuan reagimin e Vuçiç. Është përgjigje e mirë për amerikanët dhe e mirë për të gjithë. Do mundohet me çdo kusht ta ruaj Vuçiç” shtoi Arifaj.
Duke u ndalur tek kërkesa e Kosovës për tu anëtarësuar në NATO, Arifaj theksoi se një kërkesë e tillë është bërë çdo vit, por në këtë situatë që ndodhet momentalisht bota, kërkesa bëri më shumë bujë.
“Ka ndryshuar gjeostrategjia. Kemi një BE që ka filluar të mendojë, gjeostrategjikisht për Ballkanin Perëndimor. Ta kuptoj anëtarësimin si një nevojë. Dhe po mendojnë seriozisht për këtë. Kosova është e gatshme për aplikim në Këshillin e Europës. Kosova çdo vit kërkon të bëhet anëtare e NATO. Por në këtë kohë krize Ukrainase kjo kërkesë ra në veshin e mediave ndërkombëtare dhe zyrtarëve perëndimor. Dhe do jenë të hapur për këtë.” tha Arifaj. /abcnews.al/