Reagimi i Bylis, Kapllanaj: Shteti të na ndihmojë, shembulli vjen nga Kosova

schedule19:35 - 29 Mars, 2020

schedule 19:35 - 29 Mars, 2020

Koronavirusi ka shkaktuar një krizë të madhe ekonomike dhe klubet e brishta shqiptare janë prekur nga kjo situatë e pazakontë. Klubi i Bylis ka reaguar me anë të një postimi në faqen zyrtare.

Presidenti i skuadrës ballshiote, Besnik Kapllanaj fton Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, që të ndihmojë ekonomikisht klubet shqiptare. Shembulli vjen nga Kosova, aty ku Ministria e Sporteve ka dhënë një fond prej 5 milion eurosh për sportin.

Shqipëria është në karantinë dhe qysh prej 12 marsit 2020, futbolli dhe gjithë aktivitetet e tjera sportive janë ndalur. Nuk dihet se kur do të rikthehet aktiviteti normal. Ndërsa klubet dhe presidentët e vuajnë shumë, ndonëse edhe bizneset e tyre tashmë janë të pezulluara, pasi duhet që të paguajnë stafet, që përfshijnë trajnerët apo dhe lojtarët e burimet njerëzore sipas kontratave që kanë nënshkruar, pa harruar edhe grumbullimet, pasi në radhët e skuadrave tona ka shumë lojtarë të huaj.

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj në një deklaratë për mediat analizon situatën e jashtëzakonshme dhe mjaft të vështirë në të cilën ndodhet vendi ynë, ndërsa kërkon që Qeveria të ndihmojë futbollin në këtë moment: “Edhe pse vendi është në një situatë të paprecedentë, mendoj se ka ardhur momenti që Shteti Shqiptar dhe sidomos Ministria e Sportve të ndihmojnë sportin duke ndjekur shembullin e Kosovës. Jo më larg se sot kemi mësuar se, Ministria e Sportit në Kosovë dha një fond prej 5 milion eurosh për sportin, që është me të vërtetë tejet pozitiv.

Imagjinoni, nëse jepet një fond i atillë edhe në Shqipëri të paktën për këtë periudhë krize, besoj se do të jetë shumë pozitive dhe një shtysë shumë e madhe për klubet tona, në mënyrë që të mos cënohemi edhe më shumë në xhepat tanë. Kështu edhe sponsorët, duke qenë se aktiviteti nuk vijon shohin si rrugë të vetme largimin. Ndërkohë që edhe lojtarët me të drejtë kërkojnë pagat mujore sipas kontratës, sepse ne shumicën i kemi familjarë.

Në një situatë të atillë, që unë shpresoj që të kalojë sa më shpejt dhe me sa më pak pasoja, klubet kërkojnë që të përfshihen edhe ato në buxhetin e ndihmës që po jep Qeveria shqiptare, në mënyrë që aktiviteti i tyre të mos cënohet dhe futbolli që është i vetmi mjet argëtimi dhe sporti më i vjetër dhe më popullor që ka më shumë interes në vendin tonë të vijojë të mbahet në këmbë, e pse jo për ta çuar edhe më lartë”, – tha presidenti i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj“, lexohet në komunikatën e klubit të Superiores. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!