Nga Mentor Kikia
Qeveria është duke tentuar të meremtojë çtë mundet në ngrehinën e plasaritur të ekonomisë, në përpjekje për të zbutur zemërimin e njerëzve si pasojë e rritjes së çmimeve. Por duket mision i vështirë, pasi shtëpisë i janë çarë muret, por edhe thyer thuajse të gjitha tjegullat.
Më e keqja është se situata nuk është tërsisht pasojë e krizës së prodhuar nga lufta në Ukrainë, por më së shumti është një realitet i prodhuar viti pas viti, qeveri pas qeverie, nga politika ekonomike që kanë çuar në deformimin e tregut të lirë dhe fuqizimin e një grushti njerëzish që kanë shtënë në dorë ekonominë kombëtare. Në mungesë të funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve që duhet të monitorojnë dhe rregullojnë tregjet, qeveria tani krijon borde që diktojnë çmime përmes presioneve mbi tregtarët.
Korrupsioni, në mënyrë të vazhdeueshme, ka shkatërruar themelet apo ka penguar ndërtimin e një shteti normal. Ai ka bërë të pavlefshme pasuritë kombëtarë të vendit, të cilat nuk u shërbejnë më qytetarëve të tij, por kompanive shumëkombëshe apo vendase, të cilat i shfrytëzojnë njësoj si europianët kolonitë aziatike në shekullin e 18.
Korrupsioni i ngjan një ngrehinë gjigande, e përbërë nga kontrata abuzive, të çimentuara ligjërisht në favor të kompanive; koncensione miliardashe me kompani offshore-e, që vijnë këtu me emra amerikanë, holandezë, gjermanë e britanikë, por që zyrat i kanë në të njëjtin pallat në Tiranë; koncensione që kanë shtënë në dorë shërbime jetike si shëndetësia, etj etj.
Kjo ngrehinë sot është gati e pamundur të rikonstruktohet.
Përballë kësaj panorame të trishtë, ndodhet një opozitë e rrënuar nga paaftësia, despotizmi dhe lufta për pushtet e dy drejtuesve tashmë historikë. E nxjerrë jashtë fushe me votë në 2013, si një qeveri e korruptuar këmbë e kokë, PD nuk iu nënshtrua një “remonti kapital”, por bëri një makiazh dhe u fut sërish në garën për pushtet. Ajo mbuloi plagët dhe nga humbja në humbje, premtonte fitore të reja.
Sot, me një grup parlamentar të ndarë në dy pjesë, me dy kryetarë dhe më nje anatarësi të shpartalluar, ajo nuk premton asgjë për të ardhmen. 6 marsi thjeshtë konfirmoi një realitet që shumëkush e kishte parë, që Berisha është shumicë në bëtejën brenda PD-së. Për këtë arsye, kundër Bashës janë ngritur edhe ata që e mbështetën deri në 6 Mars, por ai premton sërish se do ta udhëheqë “këtë betejë”, në humbjen e radhës. Berisha nga ana tjetër, pasi mundi Bashën, as që e mendon se mund të tërhiqet, për ti hapur rrugë prurjeve të reja në partinë që pritet të futet në zgjedhje. Edhe pse mundi gjysmën e PD-së, Berisha nuk e mund PS-në, e shndërruar në një makineri politike, elektorale, financiare… Sepse ai nuk i mori dot votat as të vetë PD-së, abstenuesit e të cilës e rritën numrin e elektoratit gri. Pa llogaritur këtu faktin se një PD me Berishën kryetar mund ti nënshtrohet një lloj izolimi nga SHBA.
Në këto kushte, sinoptika politike nuk është aspak optimiste. Mbi Tiranë do të vazhdojnë të enden re të zeza, duke e penguar diellin. /abcnews.al