Ruçi mesazh qytetarëve: Ju drejtohem si prind, s’më shqiten nga mendjat jetët që ka marrë Covid-19

schedule19:01 - 27 Korrik, 2020

schedule 19:01 - 27 Korrik, 2020

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i është drejtuar me një apel qytetarëve shqiptarë për të shtuar kujdesin ndaj koronavirusit.

Ruçi thotë se ndihet i keqardhur për ndarjen nga jeta të moshave të reja, ndaj si prind dhe si vëlla thotë se kërkon përgjegjësi nga qytetarët.

Ai shprehet se akti normativ i ka bërë të qarta masat e rrepta që duhet të zbatojnë, dhe se tashmë i mbetet qytetarëve t’i zbatojnë ata.

“Të dashura motra dhe vëllezër,qytetarë të Shqipërisë,

Ju drejtohem sot me dhimbjen që na kanë shkaktuar të gjithëve humbjet e jetëve gjatë ditëve të fundit, sidomos në moshat e reja.

Ju drejtohem jo thjesht si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, por si qytetar, si prind, si vëlla dhe si miku juaj.

Të gjithë gjendemi para të papriturave dhe rreziqeve të koronavirusit. Pandemia Covid-19 po shoqërohet me shumë të panjohura, të cilat janë të tilla jo vetëm për ne, qytetarët, por edhe për mjekët, epidemiologët, shkencëtarët dhe madje edhe OBSH-në.

Virusi agresiv po rrëzon ditë për ditë shpresat e njerëzve se pandemisë po vjen fundi, se virusi po bëhet më pak kërcënues për jetën dhe se moshat e reja  janë më të mbrojtura prej tij.

Marrja e jetës së mjaft njerëzve në moshë të re është një sinjal që duhet të kapet dhe një mesazh që duhet të lexohet nga të gjithë.

Akti normativ i ka bërë të qarta masat e rrepta që duhet të zbatojmë për të mbrojtur jetët tona, të fëmijëve, prindërve, motrave, vëllezërve dhe gjithë të dashurve që na rrethojnë.

Jam thellësisht i prekur dhe nuk më shqiten nga mendja fëmijët e vegjël, prindët, vëllezërit dhe motrat e qindra shqiptarëve që virusi u ka marrë jetën.

Në emër të tyre, në emër të mbrojtjes së jetës, në emër të gëzimeve të përditshme prej të cilave pandemia na ka privuar, në emër të gjithë fëmijëve të Shqipërisë që presin vjeshtën për të filluar shkollat, në emër të gjithë familjarëve e prindërve që i kanë fëmijët në dritën e syrit, ju drejtohem të gjithëve me apelin:

Zbatoni me rreptësi masat mbrojtëse nga koronavirusi!

Vendosni maskat!

Ruani distancën!

Garantoni higjenën personale e familjare!

Për zhdukjen e koronavirusit nuk mjaftojnë as aktet normative, as masat teknike, as kontrollet nga institucionet dhe policia. Vendimtare është sjellja jonë individuale, familjare, shoqërore e shëndetësore!

Vetëm në këtë mënyrë, do të ruajmë jetën tonë dhe mbrojmë jetët e të tjerëve, të dashurve që na rrethojnë dhe të gjithë qytetarëve”, shkruan Ruçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!