Rasti “Monstra”/ Rinis procesi gjyqësor për të dënuarit me burgim të përjetshëm

schedule12:33 - 12 Shkurt, 2018

schedule 12:33 - 12 Shkurt, 2018

Do të rinisë në Maqedoni gjykimi i çështjes “Monstra”, në lidhje me pesë vrasjet në Prill të 2012-s në liqenin e Smillkovës. Prokuroria e Lartë ka kërkuar rishqyrtim duke e cilësuar çështjen e mëparshme si tërësisht të montuar.

Në Gjykatën Penale në Shkup nis nga e para procesi gjyqësor për rastin “Monstra”, ku në bankën e të akuzuarve do të ulen të akuzuarit që u dënuan me burg të përjetshëm, në një proces që rezultoi tërësisht i montuar. Rasti “Monstra” ka të bëjë me vrasjen e pasëfishtë, që ndodhi në 12 Prill të vitit 2012 tek liqeni i Smillkovës, ku u vranë katër djem të rinj dhe një peshkatar.

Çështja do të drejtohet nga gjykatësi Ognen Stavrev. Gjykata Supreme konfirmoi një seri shkeljesh në zhillimin e procedurave, e për pasojë janë hequr shumë përfundime duke bërë që lënda gjyqësore të rikthehet nga e para për gjykim me kërkesë të Prokurorisë së Lartë.

Gjykata e Lartë urdhëroi anullimin e vendimit për paraburgim duke lënë në liri me kusht Agim Ismaillovicit, Haki Azirit, Sami Lutës dhe Fejzi Azirit. Ata nuk kanë të drejtë të largohen nga vendi dhe duhet të paraqiten dy herë në javë para gjykatës penale. Urdhërarrestet ndërkombëtare për Alil Demirin dhe Afrim Ismaillovicin janë ende në fuqi dhe pse të dy prej vitesh jetojnë në Kosovë. Autoritetet kanë refuzuar kërkesën për ekstradim me pretendimin se nuk janë dorëzuar dëshmi të cilat tregojnë përfshirjen e tyre me rastin. Ende nuk dihet cili prokuror do ta përfaqësojë aktakuzën, që deri tani është përfaqësuar nga prokurorja Gordana Geshkovska, zëvendësja e Marko Zvërlevskit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!