Ish kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume në një intervistë për “Tirana Live” në ABC Neës foli për rastin e publikuar së fundmi në lidhje me shit-blerjen e votës. Kume thotë se shitblerja e votës është një vepër penale dhe se institucionet duhet të hetojnë se sa ekziston dhe ku realizohet ky fenomen.
“Ky fenomen ekziston se çfarëdo që të bëhet për të mundur që ta eliminosh këtë duhet të formohet kultura, sjellja ndaj të drejtës së votës që dmth që nuk ka pse të presim që të mos përsëritet fenomeni në zgjedhjet e kaluara. Sa i takon asaj se cili është intensiteti i këtij fenomeni, është problem tjetër.
Ashtu sikurse kushdo që e trajton këtë problem, përveçse konsumon në funksion të interesit të vet, nuk bën gjë tjetër sepse kjo është një vepër penale që si e tillë ata që përpiqen ta konsumojnë, nuk e bëjnë në dritë të diellit që për mua është detyrë e institucioneve ligjzbatuese sesa ekziston dhe ku realizohet një fenomen i tillë.“, tha Kume.
Kujtojmë që një ditë më parë u bë publike një rast i shit-blerjes së votës. Në një video shihej një person i identifikuar si Agron Duro teksa po bisedonte me Kristi Agalliun, koordinatorin e Partisë së Lirisë në Kuçovë të cilit i thoshte se do të sillte votues nga Kuçova drejt Tiranës.
Për këtë Duro kërkonte 150 mijë lekë të vjetra për 4 vota, nga të cilat 50 mijë lekë do të përdoreshin për naftë. Në fund kompromisi arrihet duke gjetur gjuhën për pazarin e fundit. Policia arrestoi 52 vjecarin Kristi Agalliu dhe po heton në gjendje të lirë Agron Duron./abcnews.al