Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, ka reaguar në lidhje me rastin e fëmijës 11-vjeçar i cili ka ka humbur në kampin-burg të Al-Hol në siri. Sytari thotë fëmijët nuk kanë faj për gabimet e prindërve dhe diplomacia duhet të punojë që luajë një rol të rëndësishëm për kthimin e tyre në vend.
Myftiu i Shkodrës shprehet se ajo që ka ndodhur në Siri është diçka që komuniteti mysliman nuk e ka dëshiruar.
“Familjet e shqiptarëve të gënjyer apo të mashtruar nga propaganda false të atyre ditëve të kthehen një orë e më parë në vendin e tyre sepse nuk kanë faj fëmijët e tyre për gabimet e prindërve dhe normalisht diplomacia me të gjitha format duhet të interesohet dhe të luajë një rol vendimtar qoftë edhe për kthimin e një fëmije dhe çdo fëmije, por edhe çdo shqiptar është i shenjte për tokën tonë. Ne si komunitet fetar i qëndrojmë thirrjeve tona dhe nuk tërhiqemi as nuk e ndryshojmë thirrjen tonë për asnjë arsye sepse është një thirrje e drejtë dhe ajo që ka ndodhur në Siri gjatë këtyre viteve është një zullum i madh të cilin nuk e kemi dëshiruar dhe nuk e pranon asnjë mendje e shëndoshë”, thotë në një deklaratë Muhamed Sytari.
Misteri i rastit të Alvin Berishës ka futur në ankth familjarët e tij, por jo vetëm. 11-vjeçari arriti të gjendej falë emisionit italian “Le Iene”. Mirëpo një ditë më parë, babai i tij, Afrim Berisha, në një bisedë telefonike për ABC News rrëfeu se mbrëmjen e së premtes ka mësuar se i biri nuk gjendet me në kampin e “Al Holit”.
Afrim Berisha ka treguar për Abc News se kontaktin e fundit më të birin e ka patur ditën që është ndarë prej tij, pasi nuk e ka nxjerrë dot nga kampi, me 25 shtator. I trembur për sigurinë e të birit, Afrim Berisha tha për Abc News se do të niset menjëherë sërish drejt Sirisë për ta kërkuar vetë./abcnews.al