Ligjet ndryshojnë herë pas here. Herë forcohen e herë bëhen më elastike. Intepretimi i tyre ndonjëherë të ngjan me historinë e “presjes”. Rëndësinë e saj në një fjali. Duket sikur ligjbërësit e “harrojnë” qëllimisht pa e vendosur atë presje.
Në mënyrë që, kur të jetë momenti për të shpëtuar apo për të fundosur dikë, presja të vendoset aty ku u leverdis, herë prokurorëve e herë gjyqtarëve.
Por kohët e fundit duket se po u leverdis më shumë politikanëve e avokatëve të tyre. Me procedura ligjore e interpretim të Kushtetutës apo Kodit të Procedurës Penale, po zvarriten procese e po ndërtohen kauza. Kauza që më shumë duket sikur po ngrihen mbi ato hapësira të lëna qëllimisht në nene të posaçme ligjesh, për të krijuar situata konfuze e që lënë vend për interpretime të ndryshme.
Imuniteti parlamentar sot është në qendër të diskutimeve politike dhe gjyqësore. Rasti “Berisha” ka hapur një debat që duket sikur po kthehet në një precedent të rrezikshëm.
Por sa i mbron imuniteti deputetët shqiptarë?
Po të kthehemi pas në kohë, të paktën pas vitit 1990, gjatë kohës së pluralizimit, imuniteti historikisht ka qenë aty për të mbrojtur deputetët. Por ka marrë formë të mirëfilltë në Kushtetutën e vitit 1998.
Zhvillimi kushtetues për kufizimin e imunitetit gjithmonë është karakterizuar nga diskutime e debate aktive politike, por edhe nga një ngadalësi në ndryshimet legjislative.
Konstitucionalistja Aurela Anastasi, në një prej botimeve të saj, tregon historikun e ndryshimeve që ka pësuar Kushtetuta ndër vite, sa i përket imunitetit.
“Situata e mosbesimit midis forcave politike, polarizimi politik, si dhe arsye të tjera e stepën procesin e kufizimit të imunitetit parlamentar. Kjo tendencë u shfaq edhe kur u miratua Kushtetuta në vitin 1998, e cila në dallim nga mjaft Kushtetuta të vendeve të tjera që po shkonin drejt kufizimit të imunitetit, përforcoi paprekshmërinë e deputetit. Nga pikëpamja materiale, dispozita kërkoi autorizimin e Kuvendit për ndjekjen penale të deputetit në çdo rast, pa e kufizuar autorizimin vetëm për rastet e ndalimit dhe të arrestimit të tij (neni 73/ 2 i Kushtetutës); kurse nga pikëpamja procedurale, dispozita vendosi shprehimisht votimin e fshehtë si detyrim procedural të Kuvendit për të dhënë autorizimin për ndjekjen penale”. Ndërkohë, Franca në vitin 1995 dhe Italia në vitin 1993 e kishin tejkaluar këtë debat, duke ndryshuar kushtetutat. Ato kishin vendosur heqjen e mbrojtjes së deputetit nga ndjekja penale në rastet e akuzave dhe nuk kërkonin një autorizim nga parlamenti për këtë. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar imuniteti parlamentar kishte humbur shumë nga rëndësia e tij e mëparshme.
Nga diskutimet e zhvilluara në Komisionit për hartimin e Kushtetutës, ishte e qartë tendenca për të mos lejuar përsëritjen e rasteve për heqjen e imunitetit të disa deputetëve, përpara hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
Raste që në atë kohë ishin kundërshtuar në Parlament si masa me karakter politik.
Po ashtu edhe juristi Jordan Daci tregon historinë e evoluimit të imunitetit, duke bërë krahasimin e Kushtetutës së vjetër me aktualen.
Në vitin 1998, kur imuniteti u jepte mbrojtje maksimale deputetëve, rasti tipik që demonstron më së miri fuqinë që kishte ky ligj, ishte ai i Azgan Haklajt. Imuniteti e nxori atë nga qelitë e burgut duke e çuar në sallën e Parlamentit si deputet.
Më 23 korrik të vitit 2001, Gjykata e Lartë i ktheu atij lirinë pasi ishte zgjidhur deputet në zgjedhjet e 24 Qershorit, përmes votës së elektoratit të zonës 9 në Tropojë. Ai po mbahej i burgosur si organizator i trazirave të 28 Nëntorit të viti 2000 në Tropojë. Kolegji penal i Gjykatë së Lartë, vendosi revokimin e masës së sigurisë për Haklajn, nga burg pa afat në gjendje të lirë. Azgan Haklaj ishte arrestuar më 20 janar të vitit 2001 në Bajram Curri, në kohën që ishte kryetar i këshillit bashkiak të Tropojës dhe nënkryetar i këshillit të qarkut Kukës. Akuzohej për nxitje dhe organizim të sulmit me armë ndaj institucioneve shtetërore, gjykatës dhe policisë së rrethit të Tropojës.
Ky standard u ruajt deri në vitin 2008, me rastin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Në atë kohë, pas tragjedisë së Gërdecit, ai dorëzoi imunitetin. Por vendimi i tij nuk u pranua duke u rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Arsyetimi i Kushtetueses në atë kohë lidhej me rëndësinë e institucionit dhe jo të individit. Pra, sipas Gjykatës, një deputet imunitetin nuk e kishte personal, pasi nuk i ishte dhënë atij, por institucionit. Në këtë rast vendimin për heqjen e imunitetit duhej ta merrte Parlamenti.
Ideja për të kufizuar imunitetin, përmes një vendimi konsensual të Kuvendit filloi të diskutohej në vitin 2005, por nuk u pranua nga opozita e kohës, e cila e konsideroi atë një vendim antikushtetues.
Një përpjekje e dytë u bë në vitin 2007. Një grup deputetësh nga i gjithë spektri politik, paraqitën në Kuvend projektligjin “Për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale”, i cili do të miratohej si një ligj organik i Kuvendit, që kërkonte një shumicë të cilësuar (3/5). Kjo nismë ishte bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias të vitit 2006, në të cilin theksohej se, “Në çdo rast, kur janë në rrezik parimet bazë të sistemit parlamentar dispozitat e Kushtetutës duhet të interpretohen në një mënyrë që të mbrojë qëllimin e tyre. Prandaj, nëse Kuvendi do të miratonte dispozita të përgjithshme mbi kufizimin e imunitetit parlamentar, me shumë gjasa, ato duhet të merrnin shumicën e cilësuar të parashikuar në Nenin 81, pika 2, të Kushtetutës.
Në vitin 2011, Kuvendi, me shumicën e votave, miratoi vendimin për një shtojcë në Rregulloren e Kuvendit, e cila vendoste kufizimin e imunitetit të deputetëve për fillimin e ndjekjes penale për veprat penale që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv, sipas dispozitave të Kodit Penal. Ky vendim nuk u zbatua asnjëherë dhe ngjalli debat për faktin se ai bazohej në deklarimin me shkrim të pëlqimit të vetë deputetit për kufizimin e imunitetit të tij, sipas një përvoje të mëparshme të Bundestagut Gjerman.
Një deklarim i tillë nuk pengohej nga Kushtetuta, por ai varej nga vullneti i deputetit. Në këtë formë u bë e qartë se ndryshimi i Kushtetutës për të kufizuar imunitetin, ishte i domosdoshëm. Kjo u realizua me amendamentin Kushtetues në vitin 2012, i cili është në fuqi me një ndryshim që iu bë në vitin 2016, kur u kërkua heqja e imunitetit për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. U hoq imuniteti për hetimin, por u mbajt për arrestimin. Ky ndryshim, që është në fuqi edhe sot, lejon ndjekjen penale të një deputeti pa pasur nevojë për autorizimin e Kuvendit. Por, autorizimi i Kuvendit kërkohet në rastet e arrestimit ose formave të tjera të heqjes së lirisë, si dhe në rastet kur ushtrohet kontroll personal ose i banesës.
Edhe nga pikëpamja proceduriale ky amendament parashikon një procedurë më të lehtësuar, pasi votimi për dhënien e autorizimit bëhet me votim të hapur. Megjithatë, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura për arsye të mbrojtjes së të dhënave.
Në vitin 2016, në rastin e Tahirit, mazhoranca nuk e jepte miratimin për heqjen e imunitetit duke kërkuar prova. Pas këtij momenti ndodhën edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës penale në vitin 2017. Nenet 288 dhe 289, që janë ngritur si problematike për rastin “Berisha”, duke dashur të mbrojnë deputetët nga arresti, i dhanë edhe më shumë mbrojtje, duk i bërë imunë deputetët nga çdo lloj heqje lirie. Pra nuk ka asnjë masë që mund të jepet ndaj një personi me imunitet.
Të ekzekutosh vendimin duhet të prekësh lirinë, për të prekur lirinë duhet t’i drejtohesh Kuvendin. Pra ndryshimi i vitit 2016 prishi atë raport që ishte ndërtuar mes organizt të akuzës dhe Kuvendit.
POLITIKANËT QË KANË HUMBUR IMUNITETIN NDËR VITE
Që nga viti 1992 e deri më sot, numërohen dhjetëra raste të heqjes së mandatit të deputetëve, madje nuk kanë munguar as arrestimet.
I pari deputet që u zhvesh nga imuniteti ishte Ilir Meta, në atë kohë deputet i Partisë Socialiste, më i riu i atij Kuvendi në vitin 1992. Vjeshtën e atij viti Meta u akuzua nga mazhoranca e për nxitje të revoltave në Poliçan dhe kuvendi mori vendimin për heqjen e imunitetit të deputetit më 23 tetor të vitit 1992. Ilir Meta e ka humbur dy herë mandatin e deputetit. Edhe më 11 shkurt të vitit 2011, kur Kuvendi i hapi rrugë Prokurorisë së Përgjithshme për ta marrë të pandehur, për veprën penale të korrupsionit, pas publikimit të video-skandalit me Dritan Priftin.
Pas tij, ishte radha e Fatos Nanos. Kuvendi vendosi heqjen e imunitetit të tij më 27 korrik 1993. Ish-kryeministri Fatos Nano u dënua me 12 vjet heqje lirie, një dënim që u konsiderua politik. Ai u lirua pas gati 4 vitesh, më 1 mars të vitit 1997 pasi përfitoi nga amnistia e presidentit të asaj kohe, Sali Berisha. Më vonë nisi procesin për të fituar pafajësinë. U shpall u pafajshëm në vitin 1999 e më vonë mori edhe dëmshpërblim, 7.3 milionë lekë, për ditën e qëndrimit në burgun e Bënçës.
Në vitin 1994 iu hoq mandati ish-deputetit të Partisë Demokratike, Arben Lika, i cili u akuzua për kontrabandë dhe u dënua. Në vitin 1997 mori pafajësinë.
Ish-deputeti të Partisë Socialiste, Gafurr Mazreku, iu hoq mandati në vitin 1997, pasi plagosi me armë ish-deputetin Azem Hajdari. U dënua me 7 vjet burg. Bëri vetëm 5 pasi u lirua me nga amnistia.
Më 12 shtator të vitit 1998 edhe Azen Hajdarit i hiqet imuniteti. Ai u akuzua për “nxitje të akteve të dhunshme dhe fyerje të policisë”, pas një incidenti në Mamurras.
Nga ana tjetër, Sali Berishës i është hequr imuniteti për ngjarjet e 14 shtatorit të vitit 1998, për dhunë ndaj institucioneve. Akuza më pas u pushua nga prokuroria.
Për situatën e krijuar në vitin 1998 në Shqipëri, u publikua edhe një raport nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të Drejtat e Njeriut, në të cilin thuhej:
“Më 12 shtator 1998 deputeti i PD dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes Azem Hajdari, u vra në një atentat pranë selisë së PD, çka solli protesta të dhunshme. Gjatë funeralit të tij më 14 shtator 1998 mbështetës të armatosur të PD bastisën zyra qeveritare për një kohë të shkurtër, si Parlamentin, televizionin shtetëror dhe radion. U duk sikur ish-presidenti Berisha do të kryente një grusht shteti, por pas 72 orësh u rivendos rendi dhe protestuesit dorëzuan tanket që kishin marrë. Më pas Parlamenti hoqi imunitetin e Berishës për rolin e tij në kryengritjen, por përfundimisht mbi të nuk u ngritën akuza. 12 njerëz u arrestuan për dhunën. PD refuzoi të merrte pjesë në të gjitha funksionet shtetërore në nivel kombëtar pas vrasjes së Hajdarit, duke bojkotuar dhe Parlamentin. Zyrtarët e PD-së, përfshi edhe Berishën, refuzuan të dëshmonin në hetimet për vrasjen e Hajdarit, duke argumentuar se hetimet ishin të motivuara politikisht”.
Për trazirat e 14 shtatorit 1998, imuniteti iu hoq edhe Pjetër Arbnorit, Leonard Demit, Vili Minarollit, Shaban Memisë e Jemin Gjanës, por akuza u pushua nga Prokuroria.
Më 9 tetor të vitit 2007, del në skenë skandali më i madh financiar i qeverisë Berisha. Prokuroria kishte gjetur shkelje të rënda, abuzime që shkonin deri në 232 milionë euro, me tenderit për ndërtimin e rrugën Durrës-Kukës. Hetimet e prokurorisë çuan deri në heqjen e imunitetit të Lulzim Bashës. Firma që do të kryente punimet, rezultonte të kishte nisur punën pa pasur një projekt konkret. Lulzim Basha shkoi në gjyq, por procesi u zvarrit për aq kohë sa të tejkaloheshin afatet. Me pretendimet se ishte sëmurë dhe me temperaturë, Basha dhe gjyqi i tij u mbyll me procedurë.
Përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme argumentonin se:
Për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësit të personit nën hetim Lulzim Basha, megjithëse, është thirrur rregullisht për t’u kryer ky veprim procedural, më 5 dhjetor 2008, datë, të cilën mbajnë, si vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq, ashtu edhe kërkesa për gjykim, nëpërmjet korrierit të Prokurorisë së Përgjithshme, 8 volumet e akteve të procedimit penal në ngarkim të tij u dërguan në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Prej aty, brenda ditës, u kthyen mbrapsht, duke u lënë tek dezhurni i Prokurorisë së Përgjithshme. Në të njëjtën datë, krahas dërgimit të 8 fashikujve në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, kërkesa për gjykim, bashkë me shtatë fashikuj, që përmbanin aktet e procedimit penal Nr.1, të vitit 2007, u dërguan në Gjykatën e Lartë. Të nesërmen, më 6 dhjetor 2008, këtij procedimi penal i përfundonte afati ligjor i hetimeve.
Një tjetër çështje që u pezullua për kalim afatesh ishte edhe ajo e vitit 2008, pasi iu hoq imuniteti Fatmir Mediut.
Në të njëjtin vit, një tjetër deputet i Partisë Republikane, Hajrulla Paturri, humbet imunitetin pasi u akuzua për akte dhune në një ndeshje futbolli. Akuza u pushua nga vetë prokuroria.
Në vitin 2008 edhe Andis Harasanit iu hoq imuniteti pas akuzës për dhunë ndaj gardistëve, por prokuroria pushoi akuzat.
Nikollaq Neranxi, ish-deputet i LSI-së, e humbi imunitetin më 23 prill 2009, pas Kuvendi miratoi shumicë votash heqjen e imunitetit. Kërkesa ishte bërë nga Prokuroria e Përgjithshme për nisjen e hetimit penal ndaj Neranxit, lidhur me dyshimet për kontrabandë mallrash. Heqja e imunitetit të deputetit Neranxi, u bë me votim të fshehtë me elektronikë dhe 62 deputetë votuan pro kërkesës së prokurorisë. Më 13 mars 2008 Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit të grupit parlamentar “E majta për Integrim”.
Dritan Prifti, mbeti pa imunitet në vitin 2011, kur u akuzua për abuzim me detyrën. Akuza u pushua nga vetë prokuroria.
Ilir Beqja, deputeti i Partisë Socialiste humbi imunitetin e më pas edhe mandatin në vitin 2011, pasi akuzohej se kishte shkelur Kushtetutën. Vendimi për heqjen e mandatit të Beqjas u mor më 16 qershor të vitit 2011 nga Gjykata Kushtetuese. Pasi e gjykoi çështjen për 6 muaj rresht, nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën në mbledhjen e radhës që t’i heqin mandatin Beqjes, pas një vendimi 6 me 3 të shumicës. Kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit socialist Ilir Beqja u bë nga një grup deputetësh demokratë, pas akuzave të ministrit të Transportit të asaj kohe, Sokol Olldashi. Sipas tij, Beqja kishte përfituar fonde publike në shumën 24 milionë lekë nga Bashkia e Durrësit përmes kompanisë që zotëronte për shërbime kompjuterike, gjatë kohës që kishte marrë mandatin e deputetit nga KQZ. Deputetët demokratë e çuan çështjen në Këshillin e Imuniteteve dhe Mandateve të Kuvendit, ndërsa vetë Beqja u tregua i gatshëm të përballej me çdo instancë të Kuvendit dhe të Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pozicionin e tij që, sipas tij, nuk ishte në konflikt interesi me mandatin e deputetit.
Taulant Ballës, Tom Doshit dhe Besnik Bares, iu hoq imuniteti në vitin 2012, pasi do të hetoheshin për atë çfarë ndodhi në demostratën e 21 janarit të vitit 2011. Megjithatë çështja ndaj tyre u pushua për tejkalim afatesh.
Më 26 mars të vitit 2015, Kuvendi vendosi t’i hiqte mandatin deputeti të Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku. Prokuroria kishte paraqitur kërkesën në Kuvend, pasi Frroku do të hetohej për disa akuza të ngritura ndaj tij. Më vonë Mark Frroku u arrestua duke humbur edhe mandatin e deputetit.
Ish-deputeti socialist, Koço Kokëdhima, mbeti pa imunitet në vitin 2016 pasi u akuzua se ka shkelur Kushtetutën duke përfituar fonde.
Për ish-ministrin të Brendshëm Saimir Tahiri, Kuvendi votoi kundër heqjes së imunitetit në vitin 2017. por pas debateve që zgjatën për disa muaj, në maj të vitit 2018 Tahiri e dorëzoi vetë mandatin duke i hapur rrugë hetimeve e më pas edhe u dënua.
Alqi Bllako humbi imunitetin me 71 vota pro në Kuvend në mars të vitit 2022. SPAK kërkoi arrestimin e tij pasi ishte i përfshirë në aferën e inceneratorë si ish-sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit.
Më 14 korrik të vitit 2023, Arben Ahmetajt i hiqet përfundimisht imuniteti si deputet dhe i hapet rrugë arrestimit, ndonëse deri më tani ende nuk dihet se ku ndodhet ish-ministri, i cili sipas avokatëve është larguar nga Shqipëria.
Kauza që po krijon Sali Berisha
Le të kthehemi tek precedenti që po krijon sot Sali Berisha, në fillim duke e quajtur si antikushtetuese masën e sigurisë që është dhënë ndaj tij, më pas duke refuzuar në mënyre permanente të paraqitet në SPAK, duke pretenduar se nuk është njoftuar e në fund pretendimi i ngritur përmes avokatëve se kanë kaluar afatet.
Ndryshe nga pretendimet për maszbardhje të vendimit, kalim afatesh që të fakt ka ndodhur edhe për shkak të sorollatjeve të oficerëve të Policisë Gjyqësore, që kanë shkuar për të njoftuar Berishën, gjithçka tashmë është bërë publike. Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin e seancës për caktimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion në lidhje me aferën e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Në vendim thuhet se, mbrëmjen e 21 tetorit, dy oficerë të Policisë Gjyqësore shkuan pranë selisë së Partisë Demokratike për t’i komunikuar Berishës vendimin e dhënë në mungesë nga Gjykata e Posaçme. Por në vendim thuhet se dy oficerët e patën të pamundur që ta njoftonin.
Më pas ata shkuan në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në orën 1, pak pas mesnatës. Në hollin e pallatit, në katin e tetë, ishin të planizuar efektivë të Policisë për ruajtjen e banesës së Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Berishës, të cilët njoftuan eprorët e tyre se Sali Berisha hyri në apartament. Por në momentin që oficerët e Policisë shkuan t’i komunikonin vendimin e gjykatës dera u hap nga Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit, i cili u tha atyre se babai nuk dëshironte të takonte njeri, madje orari ishte i papërshtatshëm, duke u kërkuar të vinin sërish të nesërmen.
Mëngjesin e 22 tetorit, oficerët e Policisë sërish shkuan për t’i komunikuar vendimin Sali Berishës, por këtë herë derën e shtëpisë e hapi vajza e tij, Argita Malltezi, e cila u tha se banesa e të atit ndodhej në katin e katërt të pallatit dhe jo në katin e tetë.
Në datën 25 tetor, pas përsëritjes se Gjykatës për të njoftuar ish-kryeministrin, oficerët e Policisë kontaktuan me bashkëshorten e tij, Liri Berisha, e cila refuzoi të merrte njoftimin, duke thënë edhe se banesa ku ata kishin trokitur nuk ishte në pronësi të Sali Berishës dhe duhet ta kontaktonin atë personalisht.
Përpjekjet për njoftimin e Berishës dështuan edhe pas vendimit të Gjykatës që la në fuqi masat “detyrimit për t’u paraqitur” dhe heqjen e pasaportës.
Ditën e mërkurë, datë 8 nëntor, avokati i Sali Berishës Genc Gjokutaj, tha se kishin depozituar një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, për shqyrtimin e kërkesës që bënë për shuarjen e masës, pasi sipas tij ajo ishte shkarkuar nga detyra në vitin 1996, në kohën kur Berisha ka qenë kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por kërkesa e avokatëve të Berishës është rrëzuar dhe seanca ka vijuar me të njëjtën gjyqtare. Ndërkohë u rrëzua edhe kërkesa për shuarjen e masës duke lënë në fuqi detyrimin për t’u paraqitur.
Pas ish-kryeministrit Sali Berisha, GJKKO rrëzoi të mërkurën edhe kërkesën e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi për shuarje të masave të sigurisë për dosjen “Partizani.”
Në dalje për mediat, avokati Genc Gjokutaj tha se vendimi i masave të sigurisë ndaj Berishës dhe Malltezit përbën shkelje.
E të gjitha këto akuza e kundërakuza, interpretime ligjore e zvarritje procesi, mund të ishin shmangur në rast se SPAK do i ishte drejtuar Kuvendit para se të kërkonte në gjykatë atë masë sigurie për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Edhe më e thjeshtë se kaq, Berisha që e ndjen veten të pafajshëm, mund të zgjidhte të përballej me akuzat. Por ai ka zgjedhur të tundë kushtetutën duke këmbëngulur që po e respekton dhe jo të paraqitet në SPAK.
Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme thuhet se, Prokuroria argumenton si të drejtë kërkesat për masën e sigurisë, kjo për faktin që deputetit nuk po i hiqet liria, por i kufizohet. Dhe kjo nuk bie ndesh me kushtetutën.
Pasi kaluan më shumë se 12 orë nga refuzimi i Berishës për t’u paraqitur në SPAK, avokatët e tij i kërkuan Gjykatës që të shuajë masat e sigurisë, me argumentin se kanë përfunduar afatet për zbardhjen e vendimit. Nga ana tjetër SPAK ende nuk ka vendosur se çfarë veprimesh do të kryejë pas refuzimit të Berishës për t’u paraqitur në Prokurori mëngjesin e së hënës. Kjo edhe referuar nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale, që për të tilla raste ia lë në kompetencë prokurorëve të çështjes, Arben Kraja dhe Enkeleida Millonai që të marrin një vendim.
Por tashmë rruga e tyre, për shkak se bëhet fjalë për një deputet të Parlamentit, është vetëm një. Ajo e depozitimit të një kërkese për ashpërsim të masës së sigurisë, që mund të jetë “arrest në burg” ose “arrest shtëpie”. Por për të njëjtat arsye, që lidhen me imunitetin e deputetit, Prokuroria nëse do të vendosë të kërkojë masë më të ashpër, nuk mund të marrë vendim nga Gjykata, por autorizim nga Këshilli i Mandateve për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.
Kështu, kështjella ku Sali Berisha ka zgjedhur të mbrohet, Kuvendi, dhe ku prej ditësh po bën ato që ai i quan “betejat e tij në emër të qytetarëve”, mund të kthehet në vendin nga ku të dorëzohet dhe të dërgohet në një masë arresti. Bazuar në standardin e ruajtur, banorët e kësaj kështjelle, deputetët e tjerë, me shumë gjasë do të votojnë pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të tij.