Rastet kur dëbohet një person nga Shqipëria, a u krye procedura për Harun Çelik?

schedule21:07 - 2 Janar, 2020

schedule 21:07 - 2 Janar, 2020

Ligji shqiptar parashikon dëbimet e personave të ndryshëm, përfshirë dhe ata të huaj që dënohen për vepra penale të caktuara. Por në cdo rast, duhen respektuar disa procedura, nga njoftimi me shkrim i individit, deri tek e drejta e tij për ankesë. Miqtë e Harun Celik thonë se shtetit shqiptar nuk i dha atij mundësinë të ankimonte vendimin e dëbimit. Ministria e Brendshme dhe Policia nuk dhanë asnjë shpjegim nëse mësuesit turk i ishte zbatuar ose jo këto të drejta themelore.

Janë disa kategori të huajsh që mund të dëbohen nga Shqipëria, sipas ligjit “Për të huajt”.

Një prej tyre është rasti kur një person:

dh) është dënuar për një krim të kryer me dashje, për të cilin legjislacioni shqiptar parashikon një dënim minimal 3 vjet burg., pikërisht për falsifikimin e dokumenteve. Mësuesi turk Harun Celik, mund të përfshihet në një prej tyre, pasi edhe pse u dënua me 8 muaj burg, falsifikimi pasaportës që ai u dënua, parashikon dënim nga 6 muaj, në 4 vjet.

Kjo duket se i ka dhënë të drejtën Ministrisë së Brendshme ta dëbojë atë, por ligji thotë se

“Të huajit i komunikohet në formë të shkruar, në gjuhën që kupton apo së paku në gjuhën angleze, se ndaj tij do të ekzekutohet masa administrative e dëbimit të marrë nga autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin, duke i shpjeguar shkakun e nxjerrjes së urdhrit, datën dhe vendin ku do të ekzekutohet, mënyrën e transportimit të tij për në vendin e destinacionit dhe afatin e ndalimit të hyrjes”.
Nuk dihet nëse ky njoftim i është bërë Harun Celik kur ishte në burg, por miqtë e tij dhe disa media turke thonë se kjo procedurë nuk është respektuar.

Personi ndaj të cilit është dhënë urdhëri i dëbimit, po sipas ligjit shqiptar, nuk mund të dëbohet pa u shqyrtuar ankesa e tij.

‘1. I huaji ka të drejtë të ankimojë urdhrin e dëbimit të autoritetit përgjegjës për kufirin dhe migracionin, sipas legjislacionit në fuqi. Deri në përfundimin e procedurës së ankimit, i huaji mbahet në kushtet e masave alternative të mbikëqyrjes ose në qendrën e mbyllur, në pritje të largimit të menjëhershëm, sipas urdhrit të nxjerrë për këtë qëllim”,-thotë Ligji.
Por, a e ka pasur Harun Celik këtë të drejtë? Ministria e Brendshme dhe Policia nuk ju përgjigjën kësaj pyetjeje që ABC Neës ju drejtoi.
Individë dhe organizata të ndryshme, përfshirë dhe një eurodeputete, ngenë dyshime mbi këtë dëbim, në kushtet kur Harun Celik konsiderohej si anëtar i organizatës FETO, rivales së Erdogan, dhe mësuesi turk, me rikthimin në vendin e tij mund të rrezikojë.

Nëse kjo do të ishte marrë në konsideratë, sipas nenit 113 të ligjit për të huajt, Celik duhet të ishte përfshirë në kategorinë e personave që nuk dëbohen:

1. Nuk është subjekt i një urdhri dëbimi i huaji, kur ka arsye të bazuara për të dyshuar se, në vendin e origjinës apo në një vend tjetër, do të dënohet me vdekje, do t’i nënshtrohet torturës, trajtimit çnjerëzor e degradues apo dënimeve për shkaqe diskriminuese.
Sytë mbyllen vetëm nëse i huaji, rrezikon rendin dhe sigurinë publike, si dhe përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.

Por, a ishte Harun Celik një rrezik për sigurinë Kombëtare të Shqipërisë? A ju dha atij mundësia të kishte një avokat? Këto pyetje ngelin pa përgjigje, për sa kohë, institucionet shqiptare nuk kanë dhënë shpjegime për rastin.
/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!