Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen ka përshëndetur sot bisedimet shumë konstruktive të nivelit të lartë me Shtetet e Bashkuara lidhur me të ardhmen e Groenlandës, duke theksuar se procesi diplomatik është rikthyer në binarë.
Deklaratat u bënë në Bruksel, përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në një moment kur tensionet për ishullin arktik kanë qenë në rritje javët e fundit.
Bisedimet në Uashington, ku morën pjesë përfaqësues të SHBA-së, Danimarkës dhe Groenldës,an synuan të zbusnin krizën diplomatike të shkaktuar nga deklaratat e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump mbi marrjen e kontrollit të Groenlandës.
Rasmussen tha se takimi u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe se janë planifikuar takime të tjera për të vazhduar dialogun.
“Gjërat kishin filluar të përshkallëzoheshin, por tani jemi sërish në rrugën e dakordësuar dy javë më parë në Uashington”, u shpreh ministri danez, duke shtuar se megjithëse ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare, ai është më optimist se një javë më parë.
Sipas tij, rikthimi te dialogu institucional është një hap i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.
Qëndrimi më i moderuar vjen pasi Trump, javën e kaluar, u tërhoq nga kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj disa vendeve evropiane dhe për herë të parë përjashtoi përdorimin e forcës për të marrë Groenlandën/abcnews.al


