Megjithëse arriti të triumfonte me rezultatin e pastër 2 me 0, në “Old Trafford” ndaj Everton, duket se tekniku i Manchester United, Erik ten Hag, nuk e ka “shijuar” siç duhet triumfin e ditës së sotme, teksa duket se “djajtë” mund të vuajnë mungesën e “yllit” të tyre, Marcus Rashford në sfidën e parë çerek-finale të UEFA Europa League, ndaj spanjollëve të Sevilla.
Në pjesën e dytë të sfidës ndaj “bluve” të Liverpul, Rashford ndjeu një tërheqje muskulare gjatë momentit kur po përpiqej të kontrollonte një top në mesfushë, duke kërkuar menjëherë të zëvendësohej gjë që shkaktoi jo pak panik, në pankinën e “djajve”.
Sipas asaj çka raportojnë mediat në ishullin britanik, tekniku i “djajve” duhet të presë deri në përfundimin e ekzaminimeve mjekësorë për të marrë përgjigjen fikse, nëse Rashford do të paraqitet ose jo në fushën e blertë ndaj Sevilla, mbrëmjen e së enjtes. /i.m /abcnews.al