Raportuesja për Shqipërinë në PE, Santos: Hapja e negociatave s’duhet të ndalet

schedule18:35 - 7 Dhjetor, 2019

schedule 18:35 - 7 Dhjetor, 2019

Në një intervistë për Abc News, raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Izabel Santos shprehet se Shqipëria duhet të vijojë reformat pasi edhe procesi i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian nuk do të ndalet.

Pyetje: Zonja Santos, ju jeni raportuese për Shqipërinë në Parlamentin Europian. Në vijim të mosmarrjes së vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin e 17 dhe 18 tetorit, janë krijuar dy grupe shtetesh anëtare. Një grup që mbështet propozimin francez për reformimin e procesit të zgjerimit dhe një grup tjetër që e pranon këtë reformim, por kërkon paralelisht hapjen e negociatave të anëtarësimit me të dyja vendet. Cili është qëndrimi juaj ?

Isabel Santos, raportuese për Shqipërinë në PE: Metodologjia aktuale është shumë burokratike dhe nuk i përgjigjet nevojave të vërteta të vendeve kandidate dhe as të Bashkimit Europian. Vitet kalojnë, realiteti po ndryshon dhe ne mund ta përmirësojmë procesin. Nga ana tjetër kemi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë këtu në Parlamentin Europian konsiderojnë se duhet të ecim përpara me këtë proces. Ne nuk mund të ndalim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E vetmja gjë që ne i kërkojmë Shqipërisë është që të mos ndalë reformat. Mos e shihni mungesën e vendimit të shteteve anëtare të Bashkimit Europian si një sinjal që procesi i reformave duhet ndalur. Jo. Në jetën politike, ashtu si në jetën tonë të përditshme, kemi dy opsione: Ose të heqim dorë nga objektivi, ose të përpiqemi edhe më shumë për ta arritur atë. Është e vërtetë që kemi një moment i vështirë. Por ky moment i vështirë mund të na shërbejë si një impuls nëse duam ta kapërcejmë këtë krizë të vogël.

 Pyetje: A është Parlamenti Europian në sinkron me të gjitha institucionet europiane për reformat ?

Isabel Santos, raportuese për Shqipërinë në PE: Sigurisht, se ato nuk bëhen për shkak të një kërkese të Bashkimin Europian. Ato janë tê rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë dhe rrjedhimisht, politikanët dhe shoqëria shqiptare duhet të vijojë me këto reforma. Procesi i anëtarësimit ka qenë shumë i rëndësishëm për transformimin e vendit tim Portugalisë, që para kësaj faze ishte shumë i varfër. Brezi im është dëshmitar i transformimit të rëndësishëm që procesi i anëtarësimit solli për forcimin e demokracisë, për mënyrën dhe standardet e jetesës, për rritjen ekonomike, punësimin, arsimin, shëndetësinë, apo bujqësinë. Gjithçka. Ndryshimi midis momentit kur vendi u bë anëtar dhe para anëtarësimit është kaq i madh, sa kjo tregon qartësisht se sa i rëndësishëm është kalimi përmes këtyre reformave. Sigurisht që disa prej reformave kërkojnë sakrifica të mëdha dhe përpjekje gjigande. Por Shqipëria duhet të lëvizë drejt kësaj rruge për të qenë pjesë e këtij projekti të demokracisë, paqes, stabilitetit, dhe prosperitetit, pasi ajo ka nevojë për rritje ekonomike, punësim dhe për t’ju përgjigjur pritshmërisë së brezit të ri . Prandaj duhet të punojmë fort muaj e ardhshëm. Unë si raportuese për Shqipërinë, do jem krah për krah Shqipërisë në muajt dhe vitet e ardhshme.

Pyetje: Për hapjen e negociatave, kërkohen përmbushja e dy kushteve: Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe reforma zgjedhore. A arrihet para marsit, duke qenë se komisioneri  për zgjerimin, Olver Varhelyi synon hapjen e negociatave me të dyja vendet në mars?

Isabel Santos, raportuese për Shqipërinë në PE: Është angazhimi i tij dhe ne jemi shumë të kënaqur me këtë angazhim. Ne jemi të gatshëm për mbështetje. Presim përgjigjen e Shqipërisë. Besoj, se do bëhet e mundur. Reforma elektorale duhet të bëhet sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR. E njoh shumë procesin e reformës elektorale, pasi kam qenë zëvendëspresidente e asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe kryetare e komisionit të të drejtave të njeriut në këtë asamble. Kjo reformë është shumë e rëndësishme për demokracinë tuaj, për transparencën e sistemit tuaj elektoral, si dhe besimin e qytetarëve në procesin elektoral. Sigurisht që funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është një kërkesë më se e kuptueshme. Vendi duhet të sigurojë që këto dy struktura thelbësore të jenë funksionale dhe të ketë një proces elektoral transparent dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!