Raporti: Rriten rastet me Covid-19 mes grupmoshave të reja në Brazil

schedule23:01 - 29 Mars, 2021

schedule 23:01 - 29 Mars, 2021

Rastet me Covid-19 janë në rritje në mesin e grupeve të moshave më të reja të Brazilit, sipas institutit kërkimor brazilian Fiocruz.

“Vendi është në një situatë kolapsi të sistemit shëndetësor. Në të njëjtën kohë, pandemia ka fituar karakteristika të reja që prekin grupmoshat më të reja: 30 deri 39 vjeç, 40 deri 49 vjet dhe 50 deri 59 vjet”, thuhet në gjetjet e Fiocruz botuar të premten.

Raporti analizoi të dhënat javore nga ministria e shëndetësisë së vendit nga 1 janari deri më 13 mars 2021.

Analiza tregoi një rritje prej më shumë se 500% të infektimeve mes njerëzve nga 30 në 39 vjeç; një rritje më shumë se 600% midis njerëzve 40 deri 49 vjeç dhe më shumë se 500% midis njerëzve 50 deri 59 vjeç.

Numri i përgjithshëm i rasteve të koronavirusit në të gjithë vendin, midis të gjitha grupeve të moshës, u rrit me 319% gjatë së njëjtës periudhë kohe, thekson raporti. Që nga fillimi i valës së dytë Covid-19 në nëntor 2020, ka pasur një kërkesë në rritje për shërbime shëndetësore nga pacientë të rinj simptomatikë në Brazil, shtojnë studiuesit e Fiocruz.

Ndërsa numri i qytetarëve në moshë të re që po infektohen me virusin është në rritje, vdekjet nga Covid-19 janë akoma më të zakonshme midis të moshuarve. Që nga e diela, Brazili raportoi më shumë se 12.5 milion raste të Covid-19 dhe të paktën 312,206 vdekje të lidhura me koronavirusin. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!