Raporti i Standard & Poor`s për Shqipërinë: Pandemia ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi

schedule15:36 - 1 Gusht, 2020

schedule 15:36 - 1 Gusht, 2020

Në rishikimin më të fundit të saj, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard &Poor’s konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.

Agjencia vlerëson se Pandemia COVID-19, dhe kufizimet e lidhura me lëvizjen e njerëzve, do të bëjnë që ekonomia e Shqipërisë të kontraktohet ndjeshëm në vitin 2020.

Pandemia ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë veçanërisht në sektorin e turizmit në mbarë globin, dhe Shqipëria nuk bën përjashtim, për shkak të peshës së lartë, që zë ky sektor në ekonominë e vendit.

Agjencia shprehet se qeveria është duke ndërmarrë një program të fortë stimulues për të kufizuar ndikimin ekonomik nga pandemia dhe për të rifilluar përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit të kaluar.

Qeveria ka siguruar mbështetje kreditore nga Institucione Financiare Ndërkombëtare për të financuar hendekun fiskal këtë vit dhe për të ndaluar presionet e bilancit të pagesave. Qeveria gjatë këtij viti arriti të emetojë edhe një Eurobond. Nëse ekonomia përkeqësohet më shumë nga sa parashikojnë institucionet, Qeveria ka ende hapësira për disa politika të mëtejshme.

Agjencia shprehet se financat publike të Shqipërisë janë konsoliduar vitet e fundit. Deficiti i qeverisë së përgjithshme u ngushtua në 1.9% të PBB-së në 2019 nga 5.2% në 2014, e udhëhequr kryesisht nga kufizimi i shpenzimeve.

Sipas “Standard and Pors”, pritet qe ky deficit të rritet në 8.5% të PBB-së këtë vit për shkak të humbjeve në të ardhura, shpenzimeve shtesë që lidhen me pandeminë, dhe shpenzime të larta të kapitalit.

Borxhi parashikohet të rritet në gati 80% të PBB-së në vitin 2020, ndërsa pritet të ulet nga viti 2021 e më tej, si rezultat i shuarjes së masave të jashtëzakonshme dhe rimëkëmbjes së ekonomisë.

Agjencia shprehet se disa përpjekje të kujdesshme të qeverisë do të mbështesin konsolidimin në vitet e ardhshme. Agjencia vlerëson se raporti fiskal i të ardhurave ndaj PBB-së së Shqipërisë ka potencial për t’u rritur. Qeveria është e angazhuar të reduktojë informalitetin përmes zbatimit të legjislacionit dhe sistemeve.

S&P vlerëson se sektori bankar, kryesisht i financuar nga depozitat dhe kryesisht në pronësi të huaj, ka zvogëluar pjesën e tij të kredive me probleme në rreth 8% të totalit të kredive. Kjo paraqet një rënie të theksuar nga kulmi prej 25% i regjistruar në vitin 2014.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!