Raporti i shqiptarëve me paranë/ Civici: Përdorimi i kartave të kreditit nuk është në nivelin e duhur. Tanku: Ja ç’kemi dalluar nga vrojtimi

schedule20:33 - 22 Mars, 2024

schedule 20:33 - 22 Mars, 2024

Drejtori i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, Altin Tanku dhe eksperti i ekonomisë, Adrian Civici kanë diskutuar këtë të premte në emisionin “Sheshi i Dollarit” për rëndësinë e edukimit financiar.

Tanku ka theksuar se Banka e Shqipërisë ka bërë një vrojtim për të matur kulturën dhe edukatën financiare në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas tij, një nga problemet që kanë spikatur është interesi i përbërë i depozitës dhe që njerëzit e kanë të vështirë për ta kuptuar.

Ndërsa, Civici ka thënë se përdorimi i kartave të kreditit në Shqipëri nuk është në nivelin e duhur. Ai ka deklaruar se kjo lloj kulture financiare vetëm e ndihmon individin, prandaj duhet të ndryshoj.

Tanku: Ne e njohim mirë edukimin financiar sepse nga viti 2011, Banka e Shqipërisë bën një vrojtim për të matur kulturën dhe edukatën financiare në të gjithë territorin e Shqipërisë. Është pjesë e një fushate  globale të organizuar nga OECD dhe përfshin të gjithë vendet e globit. Ne duke parë sjelljen e publikut, kuptojmë që problemet nuk janë te elementët parësor, por ato dytësor ose tretsor të përdorimit të parasë. Një nga problemet është interesi i përbërë i depozitës dhe që njerëzit e kanë të vështirë për ta kuptuar. Kjo lidhet direkt me kostot e drejtpërdrejta të një kredie dhe natyrisht kjo e ndikon dhe vendimmarrjen për një investim. Sa kohë duhet të zgjasë kredia? A më leverdisë për projektin e biznesit dhe normën e fitimit që unë parashikoj? Sa më ngelet, nëse unë paguaj këstin e kredisë? Të tilla pyetje me radhë. Pikërisht për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë nuk e fokuson vëmendjen vetëm te java e parasë, por zhvillon një aktivitet për gjatë gjithë vitit. Këtë vit, Banka e Shqipërisë ka miratuar strategjinë e edukimit dhe përfshirjes financiare, e cila e shikon procesin në tërësi. Qëllimi kryesor i saj është të rrisë nivelin e njerëzve, t’i edukojë ata dhe normalisht t’i mundojë njerëzit t’i vënë njohuritë në praktikë.

Civici: Ka të dhëna shumë interesante në përdorim të kartave të krediti apo  të kartave të debitit. E para, është shumë zor që një pjesë shumë e madhe të kuptojnë dallimin mes tyre. E dyta, të paktën nga statistikat, është akoma një masë shumë e madhe, kartash që përdoret vetëm për të tërhequr pagesat në cash dhe në këtë pikë jemi akoma mbrapa dhe shumë vendeve të rajonit, pa folur për përtej. Sepse akoma shumë njerëz nuk e kuptojnë se çfarë përfitimesh të jep ajo karta e kreditit për të bërë pagesa dhe çfarë lehtësirash. Edhe bizneset nga ana e tyre nuk është se reagojnë shumë shpejt. shtimi i fluksit të turizmit ka bërë që dy vitet e fundit të shtohet edhe numri i ATM-ve sepse shumica e turistëve që vijnë nuk përdorin cash dhe tani interesi në këtë formë pagese dhe oferta është bërë shumë e madhe. Njëkohësisht dhe kur ke nevojë kur lëviz jashtë shtetit, mos të kesh nevojë të ndërrosh monedhën, por mund të bësh pagesën me kartë. Kjo lloj kulture financiare vetëm e ndihmon individin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!