Parlamenti Evropian ka vlerësuar hapat pozitivë të shënuar nga Shqipëria, në rrugëtimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kjo është cituar në draft-raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, i publikuar këtë të enjte, ku përmendet hapja e të gjithë grup-kapitujve të negociatave brenda një kohe të shkurtër.
Eksperti për çështje ndërkombëtare, Emilio Çika në një intervistë në “NewsLine” në ABC News tha se vlerësimi i raportit të PE ishte pozitiv dhe se KE dhe PE kanë dhënë një mbështetje të vazhdueshme për të arritur objektivat e përbashkët
“Ajo që duhet dhënë përveç fjalëve të mira është rëndësia e atyre që janë pikat kryesore që raporti vendos si sfida për Shqipërinë në tërësi që lidhen me sistemin e gjyqësorit, apo organet e drejtësisë ku shihen disa pika për të cilat duhet dhënë mbështetje edhe nga politika. Tjetra ka të bëjë me ato çështje që lidhen me shtetin ligjor. Pra flasim për reforma të thella që raporti e specifikon që duhet hyrë brendësi, përmbushja e grup-kapitujve në vetvete çon në atë që Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma të thella. Sigurisht që raporti është pozitiv, ka një periudhë të gjatë që KE dhe PE po japin një mbështetje të vazhdueshme për të arritur objektivat e përbashkëta. Mbështetja ishte e mirëqenë, por për sfidat duhet një shtysë më e madhe që duhen përmbushur”, tha ai.
I ndalur tek deklaratat e McAllister, ai u shpreh: “Polariteti politik ekziston. Jemi në një fazë ku opozita ka ngritur çështje që janë në rendin e ditës…Por debati politik dhe kërkesat janë të pranueshme. BE apo edhe vende që kanë në mbikëqyrje zhvillimin e Shqipërisë, mbështesin progresin. Sa për takimet apo jo që shkojnë kundrejt liderit të opozitës u shmang duke thënë se do largohej shpejt dhe se nuk do kishte kohë. Pra ishte një justifikim. Lideri i opozitës ka sfidën e tij me komunitetin ndërkombëtar, kjo dihet…edhe pas akuzave që ka tashmë. Por klima politike duhet të vendoset si në shinat institucionale por edhe brenda një kuadri të shtetit ligjor”.
/abcnews.al/


