Ambasada e SHBA-së në Shqipëri ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-së për zgjedhjet e 25 Prillit. Yuri Kim nxit institucionet përkatëse që të shqyrtojnë raportin për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri.
“Ne kemi mbajtur shënim Raportin Përfundimtar të ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, i cili ndërtohet mbi bazën e raportit paraprak të 26 prillit. Nxisim të gjitha institucionet përkatëse që të shqyrtojnë raportin përfundimtar dhe rekomandimet e tij për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri” mbyllet reagimi i SHBA-së.
Delegacioni i BE-së theksoi se ky raport konfirmon se zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë dhe se KQZ mbikëqyri procesin zgjedhor në një mënyrë transparente. Shqetësim, sipas tyre, mbetet keqpërdorimi i burimeve shtetërore si dhe funksioneve zyrtare nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike.
Në raport konsiderohet se procesi në ditën e zgjedhjeve ishte i qetë ndërsa qytetarët mund të zgjidhnin mes kandidatëve të cilët mund të bënin fushatë të lirë brenda një kornize ligjore që respekton liritë themelore. Raporti nënvizoi përdorimin e administratës publike nga ana e partisë në pushtet dhe burimeve administrative./ Abcnews.al