Shqipëria vazhdon të jetë vend transit për kalimin e drogave nga Azia drejt Evropës Qendrore. Të dhënat më të fundit mbi tregjet ndërkombëtare të drogës janë publikuar në raportin e zyrës së Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimet.
Kur flitet për drogë nuk mungon përmendja e Shqipërisë. Kështu është edhe në raportin e vitit 2018 për drogat të publikuar së fundi nga zyra e Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimet.
Shqipëria dhe Holanda përshkruhen si dy vendet më të përmendura për trafikun ndërkombëtar të barit të kanabisit, të ndjekura nga Çekia.
Ndërsa në hartën globale, Shqipëria është e përfshirë në rrugën e trafikimit të heroinës nga Azia, me origjinë nga Afganistani, që kalon përmes Turqisë dhe më pas i drejtohen Europës Perëndimor. Ky raport u referohet zhvillimeve të vitit 2016.
Shqipëria raportoi asgjësimin e 5,205 fushave në vende të hapura me një total prej 2,536,288 bimë kanabis në vitin 2016 dhe Holanda njoftoi asgjësimin e 5,856 plantacioneve të brendshme me gjithsej 994,068 bimë të kanabisit sipas raportit të UNODC.
Shqiptarët përmenden edhe për aktivitetin jashtë vendit, ku në Belgjikë, grupe nga Shqipëria përdorin “zonjat” lokale për të kontrolluar femrat, që janë trafikuar për shfrytëzim seksual dhe për t’u siguruar që ato transportojnë drogë.
Edhe në raportin e vitit 2017, Shqipëria, përmendej si një nga vendet kyçe në trafikimin, prodhimin e barit të kanabisit, madje dhe përdorimin e substancave të forta psikotike nga të rinjtë. Shqipëria përmendej gjithashtu një nga vendet me evidenca të forta në përfshirjen e grupeve të krimit të organizuar në trafikun e heroikës, kokainës dhe kanabisit.
Raporti thekson se si llojet e drogave ashtu dhe tregjet e tyre po diversifikohen dhe zgjerohen si asnjëherë më parë. Bota po përballet me një zgjerim potencial të ofertës, me prodhimin e opiumit dhe prodhimin e kokainës, që kanë arritur në nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë./abcnews.al