Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu thotë se nuk ka asnjë pengesë ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit, lidhur me raportin e IBAR.
Në Kuvend, Gogu deklaroi se opozita nuk e sheh progesin e vendit, por kërkon bllokimin e procesit të integrimit.
“Kam dalë në konferencë për shtyp për të informuar mbi punën e palodhur të kolegëve të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e negocimit të piketave të ndërmjetme. Ka qenë një 18-muajsh jashtëzakonisht impenjativ, ku kolegët e Ministrisë së Drejtësisë kanë arritur të dërgojnë në Bruksel 8 mijë faqe, janë zhvilluar 90 takime në Bruksel dhe janë koordinuar 70 institucione në Shqipëri”, u shpreh ministri.
Sipas tij, procesi i negociatave është dinamik dhe vijon të lëvizë përpara mbi bazën e rezultateve faktike të paraqitura nga institucionet shqiptare.
“Shpjegova se si procesi është dinamik, se si negociata është dinamike, se si negociata lëviz dhe nuk ngec”, tha Gogu.
Ministri akuzoi opozitën se, në vend që të njohë progresin e institucioneve shqiptare në rrugën europiane, zgjedh të prodhojë akuza politike.
“Gjatë kohës që kolegët e Ministrisë së Drejtësisë dhe gjithë institucionet e pavarura të drejtësisë punonin që shteti shqiptar të progresonte dhe çonte 8 mijë faqet, më vjen keq që ju keni kontribuar në 8 mijë akuza për ngecjen e procesit”, deklaroi ai.
Gogu tha se qëndrimet e opozitës burojnë nga një refuzim politik për të pranuar përparimin e Shqipërisë drejt standardeve europiane.
“Ndërkohë që Shqipëria ecën, ju vini këtu dhe ngrini akuza. I vetmi formacion shoqëror në Shqipëri që është mbërthyer 36 vjet pas, në standardet e korrupsionit madhor, të ndërhyrjes në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe të shtetit të kapur, jeni ju”, tha ministri në Kuvend./abcnews.al


