Pas publikimit të raportit të ‘Freedom House’ ka ardhur më në fund edhe reagimi i kryeministrit Rama.
Në postimin e tij në Facebook, Rama thotë se përkundër asaj që thuhet “Shqipëria është vendi me ideksin më pozitiv të lirive demokratike në Ballkanin Perëndimor.”
Kryeministri e pranon që kemi një rënie në pikë krahasuar me vjet, por sipas tij mund të kishim rënë edhe më shumë nëse klima e zjarrtë politike do të kishte djegur largqoftë vendin, siç ishte plani i dështuar i trazirave të vjetshme, të cilat u projektuan për t’i vënë zjarrin Shqipërisë dhe dogjën opozitën.”
Rama kujdeset që të kujtojë se kur qeveria e tij e mori në dorë qeverisjen e vendit, Shqipëria ishte e fundit.
Postimi i plotë:
KUR E BARDHA BËHET E ZEZË DHE S’KA ASGJË NË MES, mbetet vetëm një “merr e jep” shterpë mbi lirinë e medias, që ka padiskutim të gjithë lirinë e të drejtat të thotë ç’i vjen për mbarë dhe ankohet gjithnjë për mungesë lirie, sa herë të tjerët, përfshirë edhe mua, ushtrojnë të drejtën e tyre të kundërshtimit ndaj të pavërtetave apo gjysëm të vërtetave të saj, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!
Sot një gazetar i dëshpëruar për Shqipërinë që paskej rënë teposhtë, e fundit në Ballkan sipas tij, në Raportin e “Freedom House” për lirinë, donte të dinte sa më vriste mua ndërgjegja për këtë lajm të zi!
Mirëpo ja çfarë del në fakt nga raporti që mat lirinë demokratike në 195 shtete të botës qysh prej vitit 1973:
? Shqipëria është vendi me ideksin më pozitiv të lirive demokratike në Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria ka një indeks të lirisë demokratike prej 67 pikësh.
Serbia, vendi i dytë në klasifikimin rajonal, ka shënuar një regres të lehtë duke kaluar nga 67 në 66, një pikë poshtë Shqipërisë.
Maqedonia e Veriut renditet e treta, me 63 pikë, ndërsa Mali i Zi ka pësuar rënien më të madhe në rajon, duke zbritur në 62 pikë nga 65 që kishte vitin e shkuar.
Kosova mbetet e parafundit në listë, por me një progres prej dy pikësh (56 pikë nga 54 të vitit të kaluar), ndërsa Bosnja është në një stanjacion të plotë, duke qëndruar në vendnumëro, e fundit përsa i përket lirive demokratike në rajon.
Në 2013-n, Serbia dhe Mali i Zi konsideroheshin vende të lira dhe jo pjesërisht të lira si tani, ndërsa Shqipëria me Bosnje Hercegovinën ishin vendet me renditjen më të ulët në rajon.
Po, e vërtetë, kemi rënë me një pikë krahasuar me vjet dhe mund të kishim rënë edhe më shumë nëse klima e zjarrtë politike do të kishte djegur largqoftë vendin, siç ishte plani i dështuar i trazirave të vjetshme, të cilat u projektuan për t’i vënë zjarrin Shqipërisë dhe dogjën opozitën.
*Ah po, kur ne morëm në dorë qeverisjen e vendit, Shqipëria ishte e fundit.
Kujtojmë këtu se sipas raportit të fundit nga Freedom House, rezulton se demokracia në Shqipëri është përkeqësuar.
Në një sistem vlerësimi nga 1 në 7—ku 1 tregon nivelin më të lartë të demokracisë dhe 7 nivelin më të ulët, Freedom House e ka vlerësuar Shqipërinë me 3,82 pikë në krahasim me 3,89 pikë një vit më parë dhe vazhdon të jetë një regjim hibrid.
Shqipëria vlerësohet dobët për sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e tij (3.25 pikë) dhe korrupsionin (2.75 pikë). Ajo gjithashtu mori rezultate më të ulta se një vit më parë për qeverisjen demokratike (3.25 pikë) dhe pavarësinë e medias (3.75 pikë).
Në rajon, Shqipëria renditet më poshtë se Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia. Ndërsa mesatarja për Europën është 5.4, ndjeshëm më e lartë se ajo e Shqipërisë.
Raporti, me titull “Kombet në Transit 2020: Rënia e Fasadës Demokratike” vëren se “një numër në rritje i liderëve në të gjithë botën kanë rënë madje edhe pretencën për të luajtur sipas rregullave të demokracisë.”
Përmes vënies në plan të parë të interesave personalë, politikanët tani nuk po fshihen më as pas një fasade të rregullave dhe parimeve demokratike. Tani ata po sulmojnë hapur institucionet demokratike dhe po përpiqen të ushtrojnë pushtetin e tyre pa kufizime.
Shumë prej vendeve në Ballkan, përfshi dhe Shqipërinë, shënuan rënie në krahasim me vitin e kaluar.
Freedom House vuri në dukje rritje të sulmeve ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor, kërcënime kundër shoqërisë civile dhe medias, manipulimin e kornizave zgjedhore dhe zbrazjen e parlamenteve të cilat “nuk plotësojnë më rolin e tyre si qendra të debatit politik dhe mbikëqyrjes së ekzekutivit”.
Udhëheqësit autokratikë në rajon po vazhdojnë të bëjnë propagandë me demokracinë – duke pretenduar se veprojnë sipas vullnetit të njerëzve – por me të vërtetë e bëjnë këtë vetëm për të justifikuar përqendrimin e tyre të pushtetit dhe përshkallëzimin e shkeljeve të të drejtave politike dhe lirive civile.
Freedom House shkruan që këto zhvillime kanë kontribuar në një “ndarje mahnitëse demokratike” në vendet e përfshira në raport. Ky erozion i ka lënë qytetarët të prekshëm ndaj abuzimeve të mëtejshme të të drejtave që tashmë lidhen dhe me pandeminë COVID-19. /abcnews.al/