TIRANË- SPAK ka dorëzuar në Kuvend, raportin vjetor, ku në fillim të tij është harta e veprimit të grupeve kriminale në botë dhe po ashtu kanalet jo bankare se si i transferojnë paratë e pista me anë të disa aplikacioneve.
Pjesë e raportit është edhe problematika në lidhje me personat e shpallur në kërkim të cilët jetojnë në Dubai për të cilët nuk po jepet ekstradimi. Në raport thuhet po ashtu se grupet kriminale me drejtues shqiptarë po konsiderohen nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare si grupe kriminale më një ndikim të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht në ato të kanabisit dhe kokainës.
“Gjatë hetimit të grupeve kriminale në vitin 2022 vihet re një rritje e sofistikimit të kryerjes së veprave penale nga ana e tyre, komunikimi midis anëtarëve të organizatës, lidhjet me organizatat ndërkombëtare kriminale dhe format e pastrimi të produkteve penale. Tashmë grupet e strukturuara kriminale të drejtuara nga shtetas shqiptarë po konsiderohen nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare si grupe kriminale më një ndikim të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht në ato të kanabisit dhe kokainës. Këto grupe kriminale janë aktive jo vetëm në rajon por edhe në disa vende të BE-së, Britaninë e Madhe, Turqi, ShBA etj. Nga ana tjetër, grupet kriminale të drejtuar nga shtetas shqiptarë kanë arritur të kenë qasje të drejtë për drejtë në vendet e origjinës së prodhimit të kokainës duke krijuar lidhje të forta me organizatat kriminale në Amerikën Latine. Shihet një tendencë e lëvizjes së të ardhurave kriminale të tyre jashtë juridiksionit shqiptar në kompanitë offshore apo në parajsa fiskale duke e rritur ndjeshëm vështirësinë e gjurmimit dhe ndjekjes së tyre penale. Vihet re edhe përdorimi prej tyre i sisteme informale transfertash parash si havala, hundi apo ‘fei chien’ ose dërgimin e pagesave në parajsat fiskale në vende si Qipro, San Marino apo dhe Dubai.Është kthyer në problematike edhe fakti që në Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht në qytetin e Dubait, qëndrojnë një numër i lartë të kërkuarish me masa sigurimi “arrest në burg” për vepra penale në kuadër të krimit të organizuar, për të cilët nuk po jepet ekstradimi nga autoritetet e drejtësisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, thuhet mes tjerash në raport.
Gjatë dy viteve, konkretisht 2020-2022, rezulton se në total nga Prokuroria e Posaçme janë hetuar gjithsej 24 procedime penale me 25 persona në hetim, ku përfshihen ish-zyrtarëve të nivelit të lartë, mes të cilëve politikanë, ish-gjyqtarë dhe kryetar bashkie.
Ndër këto janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim:
- 8 procedime penale me 8 të pandehur (ish-Gjyqtar)
- 3 procedime penale me 3 të pandehur (ish-Prokuror)
- 1 procedim penal me 2 të pandehur (ish-Deputet)
- 1 procedim penal me 1 të pandehur (ish-zv.Ministër)
- 1 procedim penal me 1 të pandehur (anëtare KPK)
- 4 procedime penale me 4 të pandehur (ish-Kryetar Bashkie)
“Ndarja sipas shteteve do të ishte, Italia me numrin më të madh me 6 skuadra të përbashkëta 1 skuadër me Italinë dhe Kosovën, 1 skuadër e përbashkët me palë Suedi-Ukrainë-Spanjë Gjermani-Gjeorgji-Finlandë-Letoni, 1 skuadër me Francën, 1 skuadër me Britaninë e Madhe”, thuhet në njoftim.
Shikoni KETU raportin e plotë/abcnews.al