Sipas informacioneve, presidenti egjiptian Abdel Fattah Al-Sisi planifikonte të prodhonte 40,000 raketave në shkurt me qëllim që t’ia jepte “fshehurazi” Rusisë, bazuar në dokumentet sekrete të Pentagonit.
Ai madje udhëzoi zyrtarët e tij që të mbanin sekret prodhimin dhe dërgimin e raketeve për të shmangur problemet me Perëndimin. Sipas një prej dokumenteve të zbuluara, të datës 17 shkurt, presidenti egjiptian udhëzoi zyrtarët e tij të lartë ushtarakë që të dërgonin raketa, predha dhe barut në Rusi, raporton Washington Post.
Një nga këta zyrtarë, i quajtur Mohamed Salah al-Din, ministri përgjegjës për industrinë e mbrojtjes, tha se kjo ishte më e pakta që mund të bënte Egjipti për të shlyer ato që kishte bërë Rusia, për ndihmën që i kishte dhënë më parë.
Kjo ndihmë mbetet një mister, por sipas shifrave të para nga Reuters, varësia e Egjiptit nga Rusia për grurë u rrit vitin e kaluar për shkak të problemeve në tregun botëror të shkaktuar nga lufta e Moskës në Ukrainë.
Ambasada e Egjiptit në SHBA nuk iu përgjigj një kërkese për koment në lidhje me dokumentet. Rusia, ndërkohë, i është drejtuar Iranit, Koresë së Veriut dhe kundërshtarëve të tjerë të SHBA-së për të rimbushur rezervat e saj të armëve.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit të Shtëpisë së Bardhë tha muajin e kaluar se Rusia po i siguronte ushqim Koresë së Veriut në këmbim të armëve dhe sistemeve të armëve.
/abcnews.al

