Ranieri e nis me fitore aventurën tek Roma

schedule15:47 - 12 Mars, 2019

schedule 15:47 - 12 Mars, 2019

Klaudio Ranieri e nisi me fitore aventurën e tij të re si trajner I Romës. Tekniku kryeqytetas u përshëndet nga tifozët dhe nga gazetat italiane.

Nuk është se ka fituar shumë në karrierë, por sa shumë e duan. Klaudio Ranieri është një roman, dhe kjo vlen shumë kur vjen puna për skuadrën e Romës. Trajneri veteran e nisi me fitore ndaj Empolit, rikthimin e radhës në stolin e skuadrës së tij të zemrës, në ekipin e qytetit të lindjes, edhe pse e pati shumë të vështirë.

Shifrat ishin 2-1, që do të thotë tri pikë të tjera në Serinë A, dhe afrim me zonën Champions. Stefan El Sharaui dhe Patrik Shik ishin autorët e golave për vendasit në pjesën e parë, ndërsa Empoli barazoi përkohësisht me autogolin e Huan Zhezusit. Kryeqytetasit e patën të vështirë sepse mbetën me 10 lojtarë në minutën e 80-të, kur Alesandro Florenci u përjashtua me karton të kuq.

Po ashtu, u desh ndihma e VAR-it për të anuluar golin e barazimit të dytë të miqve, vetëm dy minuta para fundit, vendim I drejtë për prekje të topit me dorë.

“Falenderoj tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme, – tha ai pas ndeshjes, – në momentet e vështira ishin pranë nesh. E dija se do të kishte qenë ndeshje aspak e lehtë, ndërsa dua të falenderoj edhe lojtarët që ishin të bashkuar kur mbetëm me 10 vetëm. Gjithsesi, duhet të jemi më të kujdesshëm e të pësojmë më pak gola”.

Edhe mediat italiane e përshëndesin trajnerin.

“La Gazeta delo Sport”: Ranieri e nis me tri pikë! Zemër dhe VAR, Empoli nokaut!

“Il Korriere delo Sport”: Romë, VAR-i është oksigjen! Ranieri e nis me fitore, por anulohet një gol I Empolit! Përjashtohet Florenci!

Me këtë sukses, Roma ka 47 pikë, duke qenë vetëm tri pikë larg Interit që mban vendin e katërt, pozicionin e fundit në Serinë A që të kualifikon për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!