Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar kryetarin e saj Ramush Haradinaj si kandidat për president të Kosovës.
Këshilli Drejtues i AAK-së e ka autorizuar kryetarin e saj Haradinaj që në emër të Aleancës të zhvillojë bisedime për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit nëse kjo do të jetë në rend të ditës.
“Koalicionin qeveritar e kemi mbështetur pa kushte, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, në mënyrë që një qeveri legjitime të marrë masat e duhura në dobi të qytetarëve të vendit. Por, AAK nuk do të përkrah marrëveshjet e natyrës teknike në të cilat ekziston rreziku që po rrëshqasim.
Aleanca do të jetë si gjithmonë konstruktive në interes të vendit në rast të zgjidhjeve politike të cilat janë në dobi të mirëqenies së qytetarëve.
Këshilli Drejtues i AAK-së e ka autorizuar kryetarin Haradinaj që në emër të Aleancës të zhvillojë çfarëdo bisedimesh eventuale për rikonfigurimin eventual të qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit nëse kjo do vjen në rend të ditës. Këshilli Drejtues po ashtu, ka kërkuar me shumicë, që në këto bisedime, kandidat për president të jetë kryetari Ramush Haradinaj”, thuhet në deklaratë.
Vetë Haradinaj me anë të një statusi në rrjetet sociale e ka konsideruar këtë propozim një nder të veçantë, duke konfirmuar kështu kandidim për pasardhës të Thaçit në krye të shtetit të Kosovës.
“Sot në takimin me strukturat udhëheqëse të Aleancës, u diskutuam për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend, me theks të veçantë tek menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.
Aleanca qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor.
Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit.
Ne jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar.
Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit.
Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, shkruan Haradinaj./abcnews.al